Osmani e Antonello De Riu, flasin për zhvillimet e fundit në vend
F. Sertolli / RTKlive
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar ambasadorin italian në Kosovë, Antonello De Riu, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
Në një njoftim për media nga presidenca e Kosovës, thuhet se presidentja Osmani në emër të qytetarëve të Kosovës i ka shprehur mirënjohjen e thellë për shërbimin, si dhe profesionalizmin e dëshmuar të trupave italiane të KFOR-it në ballafaqim me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në veri të vendit.
Me këtë rast Osmani, u dëshiroi shërim të shpejtë ushtarëve të lënduar.
Presidentja Osmani po ashtu potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët duhet të jetë përgjigja e vetme dhe se këto sulme duhet të dënohen nga të gjithë.
Ajo theksoi se qytetarët në veri po dëmtohen më së shumti nga kjo situatë, andaj kërkoi për bashkëpunim më intensiv në drejtim të garantimit të një ambienti më të sigurt për qytetarët dhe për lirinë e shprehjes.
Po ashtu Osmani e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me Italinë, me ç’rast ka konfirmuar partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për vazhdim të ngushtë të koordinimit me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend e rajon.























