Arifi thotë se s’do të paraqitet pranë gjykatës serbe
F. Sertolli / RTKlive
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi tha për RTKlive se nuk do të paraqitet pranë gjykatës dhe nuk do ta pranojë dënimin që do t’i shqiptohet nga gjykata.
“Jo nuk e pranoj dënimin të cilin mundohen të shqiptojnë ndaj meje, e shoh si të padrejtë, flamuri kombëtar nuk është diçka që duhet t’i frikësojë e nënçmojë Serbinë. Ne nuk kemi arsye të jemi të mbaruar para botës, sepse s’kemi bërë gjenocid, s’kemi masakruar, kemi mbrojtur fëmijët e pronat tona, prandaj nuk e pranoj këtë ftesë. Flamuri kombëtar është larguar, por çdo herë më 28 nëntor vazhdon të qëndrojë aty”, tha Arifi.
Ky reagim i Arifit vjen pas thirrjes që i është bërë nga gjykata serbe për rastin e vendosjes së flamurit kombëtar shqiptar në godinën e komunës, më 28 nëntor.
“Sot kam pranuar një ftesë për paraqitje në gjykatën e Serbisë, me arsyetimin se kemi shkelur ligjet e këtij shteti për faktin e vendosjes së flamurit kombëtar shqiptar në hapësirë publike. Kjo ftesë dëshmon edhe më shumë shkeljet dhe diskriminimin që Serbia ia bën shqiptarëve të Luginës, por, për flamur do të paguajmë gjithmonë”, ka shkruar Arifi.























