Analistët: Duhet gjetë formë tjetër bashkëpunimi mes Kosovës dhe aleatëve
Edina Avdiu/ RTK
Pas raportimeve të të dërguarve të posaçëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, analistët kosovarë thonë se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë një modul tjetër që mos të vendoset si palë që s`bashkëpunon me aleatët. Analistët thonë se qeveria, duhet t`i mbajë aleatët më afër në mënyrë që të shkojnë më tutje me procese të tjera të rëndësishme.
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të dielën se “tensionet janë ende të larta” mes dy vendeve teksa shtoi se ai dhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, kanë “shpresuar për më shumë” rezultate gjatë vizitës së tyre në Prishtinë e Beograd.
Escobar kishte deklaruar se pas raportimit të tij në Shtëpinë e Bardhë rreth situatës në veri të vendit, do të pasojnë vendime.
Megjithatë, ende nuk ka ndonjë vendim as nga SHBA-ja e as nga Bashkimi Evropian për shtensionimin e situatës në komunat veriore.
Njohës të çështjeve politike thonë se vizita e emisarëve të BE-së dhe SHBA-së në Kosovë e Serbi ishte zhgënjyese dhe nuk pati asnjë efekt pozitiv.
Sipas tyre, i rëndësishëm është përfundimi i suksesshëm i procesit të dialogut dhe që SHBA-ja të na quajë ende partner.
“Qeveria e Kosovës duhet medoemos të ndryshojë qasjen, të bëhet më konstruktive dhe në asnjë moment pa i cenuar interesat e Kosovës, ta gjejë një model i cili do të jetë në harmoni me kërkesat dhe planet realiste ndërkombëtare”, thotë analisti Artan Muhaxhiri.
“Në asnjë mënyrë Kosova nuk duhet ta identifikojë veten si bllokuese e procesit sepse do të kemi pasoja të mëdha veçanërisht në izolimin ndërkombëtar të shtetit tonë”.
Ndërkohë, analisti Visar Xani, deklaron se do duhej të deshifrohen saktë mesazhet dhe raportimet që Escobar i ka bërë në Shtëpinë e Bardhë.
“Çdo veprim dhe çdo hap me SHBA-në do duhej të trajtohej në mënyrë të koordinuar me qëllim që të mos ketë defekte në koordinime dhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Xani. “Tek e fundit pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova është vështirë të ketë progres qoftë të brendshëm qoftë progres ndërkombëtar”.
Pas vizitës së emisarit të BE-së dhe atij të SHBA-së, në Kosovë sot ka arritur politikani socialdemokrat austriak, njëherësh ish-anëtar i Parlamentit Evropian, Hannes Swoboda.
Ai tha se Kosova duhet t`i zgjidhë problemet e saj dhe duhet ndihmuar që t'i afrohet BE-së me vlerat dhe parimet e saj.























