BE-ja konfirmon se Borell e ka propozimin e Kurtit
BKT
Lajme

BE-ja konfirmon se Borell e ka propozimin e Kurtit

Gjeraqina Tuhina/Bruksel/RTK

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ka marrë propozimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit për uljen e tensioneve në veri, mirëpo zyrtarët e Brukselit cilësojnë se kjo letër nuk përfshinë hapat e domosdoshëm që duhet të çojnë drejt shtensionimit.

“Deri më tani nuk kemi parë ndonjë hap të vendosur dhe të menjëhershëm nga kryeministri Kurti të nevojshëm për depërshkallëzim të situatës. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm sa dëshmojnë se përshkallëzimi ende vazhdon, dhe kjo është në kundërshtim me interesin e Kosovës dhe të gjithë popullit në Kosovë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje me shkrim për RTK.

Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova që menjëherë të pezullojë operacionet policore tek objektet komunale në veri, që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për katër komunat e veriut, me pjesëmarrje të serbëve.

Nga ana tjetër, Peter Stano ka konfirmuar se kabineti i Borell ka ndarë tek shtetet anëtare të Bashkimit Evropian një, siç u shpreh ai, përmbledhje të masave që duhen marrë, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapat adekuat dhe të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar situatën dhe për të ulur tensionet.

Ai shtoi se po vazhdojnë diskutimet në këtë drejtim në mes të vendeve anëtare, dhe se Josep Borell është në kontakt edhe me liderët në rajon.

 


MË SHUME NGA Lajme