Deputetët vizitë në Jerusalem, marrin përkrahje nga Izraeli për Kosovën
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Deputetët vizitë në Jerusalem, marrin përkrahje nga Izraeli për Kosovën

Jeton Musliu/RTKlive

Një delegacion nga Kuvendi i Kosovës po qëndron në Izrael. Kjo vizitë po bëhet në vigjilje të dyvjetorit të krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

Nga Jerusalemi, në lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Info Plus” në RTK, gazetarja Arlinda Sejda, solli deklaratën e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

Kjo e fundit tha se delegacioni i deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga të gjitha subjektet politike në vend, do të qëndrojnë për tre ditë në Jerusalem.

“Është delegacioni i parë në nivel të Kuvendit që zhvillon takime të këtij nivelit lartë politik me përfaqësues të ndryshëm politik në institucione të Izraelit”, tha deputetja Kryeziu-Hyseni.

Ajo shpjegoi se arsyeja e kësaj vizite është mundësia për të ndërtuar raporte më të mira ndër parlamentare mes dy vendeve.

“Jemi në Jerusalem me ftesë të Grupit të Miqësisë Izrael-Kosovë, por megjithatë më është bërë ftesa që t’i bashkohem këtij grupi si kryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme”.

Ajo tha se ministrja e Punëve të jashtme të Kosovës dhe shtatë ministra të tjerë të Kosovës e kanë vizituar Izraelin në vizita zyrtare për bashkëpunime në fusha të caktuara.

“Mund të ndërtohet bashkëpunim në fusha të ndryshme e sidomos në atë ekonomik dhe kemi parë se ka vullnet të madh për të ndihmuar në asketin e agrokulturës dhe teknologjisë”.

Fusha të tjera të bashkëpunimit janë evidentuar edhe arsimi, e sfera të tjera.

Delegacioni parlamentar nga Kosova i ka dorëzuar edhe një festë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që kryeparlamentari izraelit, Amir Ohana të vizitojë Kosovën.

Një ftesë të tillë, deputetja Kryeziu-Hyseni tha se kryeparlamentari izraelit e ka mirëpritur duke shprehur dëshirën që të vizitojë Kosovën diku nga muaji tetor.

 Pjesë e kësja vizite është edhe deputeti Avdullah Hoti. Në një postim në facebook, ai ka thënë se në cilësinë e kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, bashkë me kolegë nga Kuvendi i Kosovës, kanë takuar  kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset), Grupin homolog të Miqësisë Izrael-Kosovë, Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje dhe shumë deputetë të tjerë.

“Kosova është falënderuese për vendimin madhor të Izraelit për njohjen e Kosovës në shtator të vitit 2020, që ndodhi në bisedën nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë”, tha Hoti, ish kryeministër i Kosovës.

“Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit janë shkëmbyer vizita dhe janë nënshkruar marrëveshje në disa sektorë”.

Ai tha se në takimin me Kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset), delegacioni kosovar ka shtruar për diskutim, heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të udhëtojnë lirshëm.

“E cila gjë u mirëprit jashtëzakonisht mirë”, deklaroi Hoti, duke shtuars e kërkesa tjera ishin që sa më parë të hapet ambasada izraelite në Prishtinë, pastaj nënshkrimi i disa marrëveshjeve ekonomike për të nxitur bashkëpunimin tregtar dhe investimet mes dy vendeve, siç janë: marrëveshja për mbrojtjen e investimeve, marrëveshja për tregti të lirë dhe marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë mes dy vendeve e  marrëveshja për bashkëpunim mes dy parlamenteve.

 


MË SHUME NGA Lajme