Opozita reagon ndaj kryeministrit Kurti për zhvillimet e fundit  
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Opozita reagon ndaj kryeministrit Kurti për zhvillimet e fundit  

J.Musliu/RTKlive

Reagime të shumta nga partitë opozitare në vend, pas situatës së krijuar me anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Kosovës e Shqipërisë, dhe paralajmërimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se ndaj Kosovës pritet të vendosen sanksione të forta nga BE dhe SHBA.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku deklaroi se ajo çfarë është vënë në pikëpyetje tani, është e ardhmja euroatlantike e Kosovës.

“Kosova është shtet. I pavarur dhe sovran. Kjo e vërtetë e farkëtuar dhe e pakthyeshme nuk po kontestohet nga aleatët tanë. Kuptojeni”, shkruan Çitaku në llogarinë e saj në Facebook.

Duke pyetur se çfarë Kosove duam ne për fëmijët tanë,të  izoluar apo të integruar në BE dhe NATO, Çitaku, dikur ministër e Integrimeve Evropiane dhe më vonë ambasadore e Kosovës në SHBA, shkruan se kualiteti i aleancave dhe mirëmbajtja e tyre është po aq e rëndësishme sa edhe sovraniteti.

“E ardhmja e Kosovës nuk guxon të rrezikohet për një grusht vota. Kosova nuk i takon një njeriu”, shkruan ajo.

Ndërkohë, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani deputet i LDK-së, deklaroi se vetëm në një situatë normale e pa presione, mund të arrihet integrimi i veriut në jetën politike, ekonomike e shoqërore të Kosovës.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për normalitet në politik, në ekonomi e në marrëdhënie me jashtë.

“Vetëm në një situatë normale mund të ketë zhvillim dhe jetë më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim. Çdo qasje tjetër është e dëmshme dhe e rrezikshme për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook.

E në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, dikur ambasador i Kosovës, ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj shtetit të Shqipërisë, sa u përket zhvillimeve të fundit.

 Sipas tij nëse Kosova po do të mbytet vetë, atëherë nuk duhet t’i mbetet hatri që Shqipëria nuk po mbytet më të.

“Kur e bën njet me bë vetëvrasje, askush nuk mundet të të shpëtojë, edhe nëse e ke prind, vëlla apo motër! Fikë se fikë, bile me muzikë!”, ka shkruar Peci në Facebook.

Të martën kryeministrit i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se mbledhja e dy qeverive shqiptare e paraparë të mbahej sot në Gjakovë, ishte anuluar.

Ai ka thënë se kishte propozuar një takim më të reduktuar, porse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pranuar formatin e ri të takimit.

Pas kësaj ka reaguar Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se është hera e parë që një mbledhje e përbashkët anulohet njëanshëm.

Ajo ka fajësuar kryeministrin Rama, për anulimin e mbledhjes ndërqeveritare duke thënë se takimet bilaterale që i ka kërkuar Rama do të mund t’i zhvillonin secilën ditë tjetër.

 


MË SHUME NGA Lajme