Sveçla: Rrëmbimi i policëve ndodhi brenda territorit të Kosovës
Emine Hoti / RTKlive
Krahas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i pranishëm në konferencën për media, ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai tha se kidnapimi i policëve të Kosovës është bërë në shenjë hakmarrjeje. “Kjo për shkak të arrestimit të kriminelit ‘Lune”, tha ministri Sveçla.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ministri u shpreh se e gjithë kjo që po ndodh është sjellje e një Serbie kriminele.
“Kjo Serbi kriminale me dekada ka vepruar njëjtë. Beogradi ndërmori një hap të turpshëm, të pa pranueshëm duke kidnapuar tre policë”, tha ministri.
Ai sqaroi se rrëmbimi është bërë nga forcat e armatosura të njohura si SAI dhe ‘Kobra’ në komunën e Leposaviqit.
“Unë dje e kam vizituar vendin ku ndodhet dhe është në territorin tonë”, tha ai.
Sveçla u shpreh se në këtë lokacion në prapavijë ka pasur edhe drunj që kanë bllokuar rrugën.
“Ky akt duhet të dënohet nga faktorët ndërkombëtarë. Bëjmë thirrje urgjentë për lirimin e tyre”, tha ai.
Ministri përsëriti se nuk do të ndalet dhe nuk do të zmbrapset për vendosjen e rendit dhe ligjit.
“Çdokush i cili shkel ligjin do të përballet me pasoja. Askush nga këta kriminelë nuk është më i fuqishëm se shteti dhe do të sillen para drejtësisë”.
Sipas tij, ligjshmëria dhe kushtetutshmëria në një shtet janë parime normale dhe vlera të demokracisë.
“Si shtet me aspirata dhe orientim demokratik, jemi kundër antitezave të saj dhe gjithnjë më përkushtim të plotë të ruajtjes së vendit dhe një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”, deklaroi Sveçla.
Ai shtoi se javët e fundit Republika e Kosovës është përballur me tentativa për destabilizim të vendit, e përshkallëzim të situatës në veri.
“Këto tentativa, adresën dhe urdhëresën e kanë në Beograd, tek fqinji ynë, që fatkeqësisht është armiqësor ndaj nesh, e që qasjen e përsërisin në mënyrë konstante e në vazhdimësi”.
Ai tha se menaxhmenti i policisë ka kontaktuar me familjet e policëve të kidnapuar.
Ministri u shpreh se edhe gjatë ditës do të kontaktojë me familjarët për të shprehur solidaritetin dhe siç u shpreh ai, për të parë për nevoja eventuale.
“Në momentin që është ditur pak a shumë se çfarë ka ndodhur, menaxhmenti i policisë ka kontaktuar me familjet dhe është në kontakt të vazhdueshëm. Ne gjatë ditës do të kontaktojmë me familjarët për të shprehur solidaritetin normalisht me ta edhe për të parë për nevoja eventuale”, u shpreh ai.























