Kurti i përgjigjet Borrellit: Sundimi i ligjit, çështje e policisë  
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Kurti i përgjigjet Borrellit: Sundimi i ligjit, çështje e policisë  

Jeton Musliu/RTKlive

Një ditë pasi Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, i ka kthyer përgjigje kryeministrit Albin Kurti, mbi propozimin e këtij të fundit prej pesë pikave, kreu i qeverisë kosovare ka folur sot në lidhje më këtë çështje.

Në letrën që Borrell i kthey kryeministrit kurti, shkruan ndër të tjera se për veprimet tash e tutje në veri të Kosovës, duhet të koordinohet me KFOR-in e EULEX-in.

Në lidhje me këtë pjesë, Kurti tha se operacionet policore nuk janë punë as e tij e as e zyrtarëve evropianë.

Ai sqaroi se kur ka operacione policore,  nuk është i informuar as vetë ai.

“Jemi republikë demokratike. As unë nuk e di kur arrestohet një kriminel, sepse kjo është çështje e policisë hetuese, njësisë që bën arrestimet, prokurorisë”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se ka arrestime që i sheh saktësisht në të njëjtën kohë sikurse të tjerët. “Sepse jemi republikë demokratike. I tillë ka qenë arrestimi i Llunës. Mirëpo, veprimet operacionale, kur duhet të arrestohet dikush, nuk janë punë e imja, besoj e asnjë zyrtari evropian”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se sundimi ligjit në Kosovë është çështje e Policisë së Kosovës.

“Policia ka kryer pa numër trajnime në vendet perëndimore, dhe atje kanë mësuar si nuk duhet lejuar të politizohen operacionet policore. Prandaj, nuk mund të bëj çfarëdo pazaresh në kurriz të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, ka thënë Kurti.

Kërkesën që të paralajmërohen mekanizmat ndërkombëtarë para vendosjes së rendit dhe ligjit në Kosovë, kryeministri Kurti e ka cilësuar si të pakuptueshme.

“Sepse kjo i bie sundim me ligjin, ne jemi për sundim të ligjit”.

Pavarësisht se Kurti deklaroi se është i gatshëm për takim me palën serbe dhe ndërmjetësit evropianë, sqaroi se  nuk lëshon pe kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit brenda Kosovës.

“Kur ta caktojnë takimin, jam i gatshëm. Nuk mund të shndërrohem në shkelës i ligjit në Kosovë. Në dialog i gatshëm, i përkushtuar, por në Kosovë ligj dhe Kushtetutë”.


MË SHUME NGA Lajme