Abdixhiku në drekë pune me ambasadorin italian, flasin për bashkëpunim
J.M/RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u prit këtë të enjte në drekë pune nga ambasadori italian, Antonello De Riu.
Siç njofton Zyra për Media e kësaj partie, gjatë takimit është diskutuar për gjendjen aktuale në vend, me theks të veçantë situatën në veri si dhe nevojën për gjetjen e një zgjidhje të menjëhershme.
“Kryetari Abdixhiku ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe institucioneve dhe aleatëve ndërkombëtarë për të normalizuar situatën, por edhe për përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës për vendimet e pakoordinuara në veri”, shkruan në njoftimin për media.
Më tej sqarohet se Abdixhiku ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të LDK-së si dhe ka falënderuar shtetin e Italisë për mbështetjen e vazhdueshme e gatishmërinë për të ndihmuar në situatën e krijuar.
“Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve”, shkruan në njoftim.























