Aliu: Vuçiq e pranon se policët u rrëmbyen brenda Kosovës|Video
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Aliu: Vuçiq e pranon se policët u rrëmbyen brenda Kosovës|Video

Jeton Musliu/RTKlive

Liburn Aliu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, foli rreth kidnapimit të policëve të Kosovës, një ditë më parë, njësia speciale e policisë së  Serbisë.

Ministri Aliu u shpreh se është vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ai që e ka pranuar se rrëmbimi i policëve kosovarë ka ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe jo në Serbi.

“Ai deklaron se ata do të duhej të ishin të shoqëruar nga KFOR-in në atë zonë”, thotë ministri  Aliu, duke iu referuar deklaratës së Vuçiqit.

Duke publikuar edhe një pjesë të një interviste me video të Vuçiqit, ministri Aliu deklaroi se kjo e konfirmon  qartë se policët ishin në territorin e Kosovës.

“Është e qartë se në mandat të KFOR-it është territori i Republikës së Kosovës dhe pavarësisht se a do të duhej të ishin të shoqëruar apo jo nga forcat e KFOR-it, i bie se policët ishin në territor të Republikës së Kosovës në momentin e rrëmbimit” tha ai.

Disa orë më parë, të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli rreth kidnapimit të tre policëve kufitarë të Kosovës.

Pas takimit me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, Vuçiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Vetë Albin Kurti ka pranuar se ka shkelur të drejtën ndërkombëtare duke deklaruar se tre shqiptarët e arrestuar ndodheshin 300 metra brenda territorit administrativ të Republikës së Kosovës”, tha presidenti serb.

Vuçiq tha se sipas marrëveshjes ushtarako-teknike, është e detyrueshme të raportohet afrimi në një kilometër në vijën administrative, 36 orë përpara dhe se policia e Serbisë, asnjëherë nuk e ka kaluar vijen kufitare me Kosovën.


MË SHUME NGA Lajme