Haradinaj në takim me ambasadorin francez: Të zbatohet Marrëveshja e Ohrit
N.M. /RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot.
Ai, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se me ambasadorin francez kanë ndarë shqetësimin për gjendjen e krijuar në veri.
“Në një takim të zhvilluar në zyrën time me ambasadorin e Francës në Republikën e Kosovës, z. Olivier Guérot, e ndamë shqetësimin e përbashkët për gjendjen e krijuar në veri të vendit. Gjatë takimit, biseduam edhe për nevojën e deeskalimit të situatës dhe zbatimin sa më parë të Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, Franca gjithnjë ka pasur një rol të rëndësishëm në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova, sikundër që e ka edhe në situatën aktuale.
Kreu i AAK-ës ka diskutuar, më herët, edhe me ambasadorin gjerman, Jorn Rohde, për zhvillimet e fundit në vend dhe për mundësinë e daljes nga kjo situatë.
"Është shqetësim i përbashkët për situatën e krijuar në vend, ndërsa biseduam për mundësitë e daljes nga kjo gjendje dhe shtensionimin e situatës ekzistuese", ka thënë Haradinaj me atë rast.























