Kurti: Serbia ushtroi akt agresioni të pashembullt ndaj Kosovës
BKT
Lajme

Kurti: Serbia ushtroi akt agresioni të pashembullt ndaj Kosovës

M.Miftari/ RTKlive

(E plotësuar, ora 18:50) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur raportimin në Kuvendin e Kosovës mbi situatën në veri të vendit, me kërkesën e partive opozitare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Duke folur për rrëmbimin e tre zyrtarëve policore të Policisë së Kosovë, për shkaqet e një akti të tille agresioni ndaj Kosovës, për arsye  të arrestimit të një eksponenti të shquar të krimit të organizuar, njërit prej krerëve të Mbrojtjes Civile, Millun Millenkoviq- Llune.

“Qartazi nuk bëhet fjalë këtu për një eksponent të krimit të organizuar, i cili na paska bërë vepror penale, ose shkelje ligji me 26 0ose më 29 maj. Kjo është bërë shumë e shumë vite ma herët deri kur u arrestua”, vuri në dukje kryeministri Kurti.

Ai më tej theksoi se pas ngjarjeve që pasuan pas arrestimit të Llune, Serbia ushtroi një akt agresioni ndaj Kosovës, më 14 qershor duke kidnapuar tre policë kufitarë te Policisë së Kosovës, në brendi të territorit të Kosovës, duke vënë në dukje se këtë akt e kanë kryer njësiti special i ushtrisë së Serbisë.

Kurti më tej theksoi se policët që u kidnapuan nuk ishin për herë të parë aty, derisa tha se 16 rrugë ilegale janë mbyllur për qarkullim.

“Akti i tillë nga perspektiva njerëzore qyqar e pengmarrës përbën në anën tjetër një akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, që është vepër e ndaluar në të Drejtën Ndërkombëtare, kurse urdhërdhënësit e saj kanë konsumuar një vepër penale ndërkombëtare. Shtete u binden rregullave bazike të së Drejtës Ndërkombëtare ose, nëse jo, reprezaljet do të duhej të pasojnë kurse rregullat minimale të raporteve ndërshtetërore duhet ndryshojnë. Se a duhet të shkojmë në një drejtim të tillë, ne ende po e presim sjelljen e Serbisë dhe reagimin e faktorit ndërkombëtar “, deklaroi kryeministri Kurti, derisa shtoi se ruajtja e vijës kufitare në veri të vendit është në përgjegjësi e përbashkët e KFOR-it dhe e Policisë së Kosovës.

Më tej kryeministri Kurti sqaroi detyrat e përgjegjësitë e KFOR-it dhe institucioneve të tjera të Sigurisë, ndërsa shtoi se është në pritje nga KFOR-i për marrjen e përgjegjësisë në ushtrimin e funskionit të saj të mbrojtjes, duke urdhëruar Serbinë që t’i kthejë në Kosovë policët e kidnapuar, duke kërkuar që KFOR-i ta ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial , të sovranitetit, por edhe të pikës 4 të Marrëveshjes së Kumanovës.

Më tej kryeministri Kurti u shpreh se qeveria që drejton ai do të punojë ditë e natë, që të lirojë policë e kidnapuar

(E plotësuar, ora 18:35) Kurti: Qasja jonë detyrim kushtetues e ligjor dhe ndaj sovranitetit

Kryeministri Kurti tutje njoftoi për situatën në veri të vendit që nga mbajtja e zgjedhjeve atje.

“Pas mbajtjeve të zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të vendit, dhe pas refuzimit, edhe pse iu dha afati shtesë prej pesë ditëve Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje lokale, Qeveria e Republikës së Kosovës e përmbushi detyrimin e saj për t’u mundësuar hyrjen në zyrë  kryetarëve komunave të zgjedhur në mënyrë demokratike e ligjore, përkundër daljes së ulët, pa faj të Kosovës të qytetarëve në votime”, deklaroi Kurti, teksa shtoi se përmbushja e këtij detyrimi nuk ishte as simbolike e as formalitet ligjor.

Sipas tij, ajo duhej përmbushur për të rrëzuar, siç tha ai, paradigmën e parë, që janë grupet fashiste të milicisë, që përcaktojnë se kush hyn në ndërtesë e kush del, se kush duhet të jetë kryetar i një komune në veri të vendit e kush ka të drejtë e kush ka obligime.

 “Qasja jonë më datë 26 maj nuk ishte as çështje zgjedhjeje e as dëshire, ajo përbente jo vetëm detyrim kushtetues e ligjor, por edhe detyrim ndaj sovranitetit të shteti e modelit qeverisës, që Republika jonë duhet të garantojë në të gjithë territorin e saj”, deklaroi tutje, Kurti.

Ai, mes tjerash, vuri në pah kontradiktat e thella ndërmjet të këtyre, siç u shpreh ai, paradigmave.

Kryeministri Kurti tutje bëri të ditur veprimet e qeverisë që udhëheq ai, me kujdesin maksimal, pas ngjarjeve që kanë ndodhur më 26 maj.

“Tërë kohën kemi qenë të durueshëm, të qetë, të kujdesshëm që të mos nxitohemi”, tha Kurti, por që, siç u shpreh ai, nuk u tërhoqën e as u nënshtruan nga milicia fashiste të Vuçiqit.

(E plotësuar) Kurti: Zgjedhja e zgjidhja jonë është kushtetutshmëria e ligjshmëria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur raportimin në Kuvendin e Kosovës mbi situatën në veri të vendit, me kërkesën e partive opozitare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Situata në 4 komunat në veri të Kosovës është rezultat i përplasjeve mes dy paradigmave: asaj të ligjit e kushtetutshmërisë dhe asaj të sundimit të grupeve kriminale, të cilat kanë premisë fashizmin, si shprehje e dhunës ndaj institucioneve legjitime”, deklaroi kryeministri Kurti

Ai më tej shtoi se 'qasja jonë e vetme, zgjedhja e zgjidhja jonë është paradigma e parë, pra kushtetutshmëria e ligjshmëria'.

Krasniqi: Kosovës i duhet mbështetje e aleatëve ndërkombëtarë

(E plotësuar) Pasi kritikoi veprimin tinëzar e qyqar të Serbisë ndaj Kosovës, kidnapimin e  tre zyrtarëve policore në territorin e Kosovës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e cilësoi këtë si një akt armiqësor, një agresion ndaj Kosovës.

Krasniqi në këtë drejtim tha se Kosovës i duhet mbështetje e aleatëve ndërkombëtarë.

 “Përballë këtyre fakteve shteti ynë duhet të jetë i qartë në qasjen e tij dhe qeveria duhet të ketë një angazhim më të madhe më konkret në ruajtjen e mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë”, deklaroi Krasniqi, duke kërkuar njëherësh mbështetjen nga aleatët ndërkombëtarë dhe të dënojnë aktin e agresion të Serbisë ndaj Kosovës, si dhe të ftoi KFOR-in që të shtojë vigjilencën në ruajtjen e kufirit.

Më tej Krasniqi kërkoi kthimin sa më të shpejtë në shtëpi të zyrtarëve policorë të kidnapuar nga  Serbia, duke thënë se kjo është në përgjegjësi të kryeministrit Kurti.

Krasniqi shtroi një varg pyetjesh në lirimin sa më shpejtë të zyrtarëve policorë të kidnapuar, teksa kritikoi kryeministrin Kurti në mënyrën e qeverisjes së tij, si dhe në bashkërendim me ndërkombëtarët.

Krasniqi tha se ka mbështetjen në kthimin e zyrtarëve policorë të kidnapuar në shtëpi.

“Sot nuk është koha për të bërë politikë”, tha në fund të fjalimit të tij kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.

Gashi: Pajtohemi se rrëmbimi ishte akt kriminel, por nuk pajtohemi me qasjen ndaj KFOR-it

(E plotësuar) Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike te Kosovës, tha se pajtohet me kryeministrin Kurti i cili tha se janë dy paradigma, ai i sundimit të ligjit dhe paradigma e grupeve kriminale, por në të njëjtën kohë ai tha se janë edhe dy paraleleje të tjera, e sundimit të ligjit qeverisjes demokratike dhe e koordinimit me partnerët ndërkombëtar.

“Ajo për të cilën unë mund të mos pajtohem janë disa nga ngjarjet që kanë ndodhur mënyra se si ju komunikoni dhe i qasni KFOR-it, çështja e dytë është se si ju i referoheni Rezolutës 1244 dhe pse duhet ti referoheni asaj”, tha Gashi, në seancën e sotme të Kuvendit,

Gashi e pyeti se, a e din kryeministri se çfarë pasoja ka kjo dhe se kështu mund të vjen deri te ajo që KFOR-i të kërkojë largimin e të gjithë forcave të sigurisë nga ajo pjesë, “kjo do të ishte një gabim kardinal për Kosovën”, tha ai.

“Kryeministër a don me demonstrua sundim të ligjit apo forcë, për këtë të paren e ke përkrahjen tonë”, tha ai.

Gashi tha se me deklarimin e Qeverisë se Serbia ka kryer agresion kriminal ndaj Kosova, pos siç tha ai, nuk pajtohet me qasjen ndaj KFOR-it.

“Ajo çka kemi dëgjua është shqetësuese ditëve të fundit janë, masat shqetësues, ose sanksione ndaj qytetarëve të Kosovës atëherë ky është dëmi më i madh që i bahet Kosovës. Çfarë faji ka Kosova që ti bëhet ky dëm, pa partner ndërkombëtar nuk mund të ketë sukses Kosova. Këtë e them me bindje”, tha Gashi.

Tahiri: Nuk ka sovranitet pa partneritet

(E plotësuar) Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se jhemi në një situatë goxha të vështirë si vend, si shtet e si Qeveri.

Ai fillimisht, u shpreh se akti i pengmarrjes të zyrtarëve policorë nga Njësiti i ushtrisë serbe paraqet një rast eklatant të provokimit që i kalon përmasat shtet-shtet, është një provokim ndërkombëtar. Tahiri foli për sigurinë në vend por edhe lidhur me situatën në të cilën gjendet Kosova sot në raport me aleatët e saj.

Ai më tej tha se zyrtarët policorë të kidnapuar me vendim politik ,duhet liruar, po ashtu, me vendim politik.

“Rreth kësaj teme ne jemi një, jemi bashkë”, deklaroi Tahiri, kryetari i GP të AAK-së.

Ndërkaq në çështje ne sigurisë, Tahiri tha se veprimet e Vuçiqit na ka vënë në kontekst ndërkombëtar.

“Ju keni ardhur në pushtet me zotimin se do të shtrihet sovraniteti gjithandej vendit”, derisa u shpreh se nuk ka sovranitet pa partneritet, duke sqaruar se edhe vendet si Gjermania e Franca, janë pjesë e një organizimi më të madh, siç është NATO, për të mbrojtur sovranitetin e vet.


MË SHUME NGA Lajme