Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, dënojnë sulmin ndaj gazetarëve në veri
F. Sertolli / RTKlive
Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së janë thellësisht të brengosur me sigurinë e ekipeve mediale në veri të vendit dhe shprehin shqetësimin për sulmin e sotëm fizik ndaj ekipit të RTK-së, të përbërë nga xhiruesi Bardh Bekteshi dhe gazetarja Venera Xhoxhaj.
“Pamjet e sotme të dhunës ndaj kemermanit Bekteshi duke u shqelmuar në mes të qytetit të Leposaviqit janë dëshmi e një dhunë të paparë ndaj gazetarëve. Veprime të tilla, pos që janë të papranueshme, janë edhe alarm për organet e rendit që të ofrojnë më shumë siguri për ekipet e mediave dhe njëkohësisht të sjellin para drejtësisë kryesit e veprave të tilla kriminale”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet se informimi është obligim dhe mision i vet ekzistencës së mediumit publik, prandaj kërkojmë më ngulm nga të gjithë përgjegjësit për siguri në komunat veriore që të jenë afër ekipeve dhe të mundësojnë informimin e qytetarëve për zhvillimet në këtë pjesë të vendit.























