Organizatat e gazetarëve dënojnë sulmet ndaj mediave
E. Hoti/ RTKlive
Organizata Gratë në Gazetari ka dënuar sulmet që po bëhen ndaj gazetarëve të RTK-së në veri.
Në reagimin e kësaj organizate thuhet se më 15 qershor ka ndodhur edhe një tjetër sulm ndaj gazetarëve të RTK-së.
Kjo organizatë ka përmendur rastin e sulmit të djeshëm ndaj gazetares Arbresha Berisha dhe ekipit të RTK-së.
“Më 15 qershor një tjetër sulm ndaj gazetarëve të RTK-së. Banda në Zveçan hodhi një tullë nëpër dritaren e Arbreshë Berishës dhe veturës së ekipit të saj, ndërsa ata mbulonin protestën”, thuhet në reagim.

Ndërkohë edhe AGK ka reaguar për sulmet e sotme ndaj gazetarëve.
Në reagimin e AGK- së thuhet se në Komunën e Leposaviqit sot janë sulmuar fizikisht ekipe të medieve nga Prishtina, derisa po raportonin nga atje.
Lëndime trupore, krahas kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, ka marrë edhe kolegu nga Tëvë1, Albin Rrahmani.
Redaksia ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se Rrahmani ka marrë lëndime në këmbë, teksa fatmirësisht pjesa tjetër e ekipit të këtij mediumi, kanë shpëtuar pa u sulmuar.
“Në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime në këmbë. Aktualisht, ekipi është duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës”, ka thënë redaksia e Tëvë1 për AGK-në.
Përmes një komunikate për mediaAGK thotë se sulmi brutal i sotëm ndaj gazetarëve dhe kameramanëve në Leposaviq është krejtësisht i papranueshëm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
"I ftojmë organet kompetente të Republikës së Kosovës që të trajtojnë rastin me prioritet në mënyrë që sulmuesit e kolegëve tanë të arrestohen sa më parë. Njëherësh, duke qenë që i gjithë sulmi ka ndodhur në prani të trupave të KFOR’it, dhe të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin, kërkojmë nga NATO Kosovo Force - KFOR që të mos i pengojnë gazetarët në raportim, meqë siguri nuk po ju ofrojnë", thuhet në reagimin e AGK-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se do t’i njoftojë të gjithë akterët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me rastin.























