Ibishi: Prokurori të tregonte se si ka ndodhur rrëmbimi i policëve
J.Musliu/RTKlive
Eksperti për siguri, Nuredin Ibishi, i ftuar në emisionin “Info Plus” në RTK, deklaroi se sulmet ndaj gazetarëve janë akte qyqare të kriminelëve serbë në veri.
Ai tha se derisa këta persona të maskuar, nuk po mund ta shprehin dhunën e tyre ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, po sulmojnë gazetarët.
Ibishi u shpreh se tani kjo kalon një fazë tjetër dhe policia duhet që përveç sigurisë së objektit të komunës, të sigurojë edhe ambientin përreth.
“KFOR-i ka detyrë më specifike sepse ka për detyrë sigurimin objektit, por PK duhet të ketë parasysh që edhe qytetarët tjerë t’i mbrojë nga persona të maskuar që janë pjesë e strukturave kriminale në veri”, tha Ibishi.
Ai deklaroi se sa për rrëmbimin e tre zyrtarëve policor të Kosovës nga ata të Serbisë, duhet parë se ku ka ndodhur rasti dhe të vërtetohen të dhënat.
Sipas tij, është dashur që pas shqimit të vendit është dashur që edhe prokurori kompetent të dalë aty dhe ai të bëjë deklaratën edhe në fazën preliminare të hetimeve.
“Prokurori të dalë edhe me harta dhe t’ia prezantojë publikut sepse marrja e kompetencave nga dikush tjetër nuk është e mirë dhe nuk është bindëse”, tha Ibishi.
Ai sqaroi se prokurori është më relevanti të flasë për rastin dhe të tregojë datën e vendin.
“E pas kësaj askush nuk do të mund të bënte përkufizimin se rrëmbimi i tyre ishte arrestim. Kush janë ata persona që i kanë arrestuar?”, tha ai.























