Gjermania kërkon lirim të policëve, ambasadorët dënojnë dhunën ndaj mediave
Jeton Musliu/RTKlive
Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Baerbock, ka kërkuar nga Serbia që menjëherë dhe pa asnjë kusht, t’i lirojë tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga policia e Serbisë, tre ditë më parë.
Në një konferencë për media në Belin, Baerbock gjithashtu ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të marrin veprime për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës.
Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, duke cituar fjalët e shefes së tij, të përmbledhura në një postim në Twitter, deklaroi se “normalizimi i situatës nuk është detyrim ndaj Berlinit apo Brukselit, por ndaj njerëzve të dy vendeve të cilën kanë të drejtë për të ardhme paqësore”.
Ndërkohë, ambasadorët e vendeve të tjera në Kosovë, kanë dënuar ashpër sulmet e fundit ndaj mediave në veri të Kosovës, nga grupe kriminale serbe.
Mes gazetarëve të sulmuar janë edhe ekipi i RTK-së, ku të enjten është dëmtuar automjeti zyrtar i mediumit kurse të premten janë sulmuar edhe ekipi, gazetarja, kameramani dhe tekniku.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, deklaroi se SHBA-ja i bashkohet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, dhe dënon fuqishëm sulmet e fundit të vazhdueshme ndaj gazetarëve të Kosovës.
“Media duhet të jetë në gjendje të punojë lirshëm nga kërcënimet e dhunës dhe intimidimi”, shkruan ambasadori Hovenier.
“Një media e lirë dhe e pavarur është themeli i demokracisë”, deklaroi ai.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, duke reaguar ndaj sulmeve që janë duke ndodhur ndaj mediave kosovare në veri të vendit, deklaroi se -“kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve serbë e shqiptarë të Kosovës, është e papranueshme”.
“Ne kemi nevojë për media të pavarura”, deklaroi Guerot. “në mënyrë të veçantë gjatë këtyre ditëve”, shkroi ai.
Sulmin ndaj mediave kosovare në veri të vendit nga ana e grupeve kriminale serbe e ka dënuar edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Fuqishëm dënojmë sulmin ndaj ekipeve të RTK-së dhe Tëvë1që ndodhi sot në Leposaviq”, shkroi Szunyog. Ai tha se raste të tilla të dhunës janë të papranueshme.
“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre në ambient të sigurt”, tha ai, duke iu dëshiruar gazetarëve të lënduar shërim të shpejtë.
Aktet e dhunës ndaj gazetarëve në veri të vendit i ka dënuare dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë me seli në Tiranë.
“Sulmet fizike, fyerjet dhe gjuajtjet me sende të forta nga protestuesit serbë, deri edhe goditjet me gurë e shok-bomba mbi gazetarët, përbëjnë një incident të rëndë dhe me pasoja”, shkruan në reagim.
“Raportimi i kolegëve, se operatori i RTK-së pas sulmimit është përplasur në tokë dhe goditur nga një grup agresorësh, shënon kulmin e agresionit fizik ndaj gazetarëve, në zonat ku jeton pakica serbe në Kosovë”.
UGSH kërkon nga autoritetet zyrtare të Kosovës, por veçanërisht nga ato të Beogradit, të ndalojnë urgjent agresione të tilla të importuara në zonat e komunave të pakicës serbe.























