30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në veri për katër javë
BKT
Lajme

30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në veri për katër javë

E. Hoti/ RTKlive

Asociacioni i  Gazetarëve të Kosovës ka  njoftuar se në një periudhë kohore prej katër javësh janë regjistruar 30 raste të sulmeve kundër gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe medieve që kanë përcjellur zhvillimet nga komunat veriore të vendit. 

Ky asociacion thotë se është i alarmuar me situatën që gjenden gazetarët që raportojnë nga këto komuna.

AGK ka kërkuar nga organet kompetente  që të ndërmarrin hapa që të krijojnë një ambient të sigurt për raportim.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me situatën që gjenden kolegët tanë që raportojnë nga komuna, andaj kërkojmë nga organet kompetente të ndërmarrin hapa që të krijojnë një ambient të sigurt për raportim nga ajo zonë".

"Njëherësh, u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve, që të kenë kujdes të shtuar dhe në asnjë formë të mos rrezikojnë vetën për hir të raportimit”, thuhet në reagimin e AGK-së në të cilin janë prezantuar statistikat e sulmeve ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe medieve që kanë raportuar nga komunat veriore të Republikës së Kosovës

AGK po ashtu thotë se secili sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Sipas Policisë së Kosovës vetëm sot janë sulmuar nëntë gazetarë në Leposaviq, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.


MË SHUME NGA Lajme