Funksionalizimi i komunave në veri|Video
BKT
Lajme

Funksionalizimi i komunave në veri|Video

Valjeta Shala / RTK

Në komunat veriore situata ka qenë kryesisht e qetë, ndërkohë kryetarët e komunave kanë vazhduar me punë. Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci i Zveçanit thanë se janë duke e kompletuar kabinetin, drejtorët e drejtorive dhe protokollet e reja.

Situata në veri të vendit ishte e qetë. Një numër i vogël i protestuesve u pa edhe këtë të mërkurë para objekteve komunale.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri  dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, thanë se kanë arritur t'i kryejnë deri më tani dhe shërbimet që po ofrohen për qytetarët.

“Kemi arritur të bëjmë një fillim të ri sikurse të kemi vula të reja, protokoll të ri. Ka përfunduar themelimi i kabinetit kështu që punën po e vazhdojmë në këto anekse”, tha Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut.

 “Ditët e para kanë qenë të vështira por me kohe po stabilizohet gjendja. Deri më tani kemi arritur të  rregullojmë kabinetin, drejtorët e drejtorive. Jemi duke bashkëpunuar me qytetarët për kërkesat e tyre të nevojshme”, tha Ilir Peci, kryetar i Zveçanit.

Puna po vazhdon edhe në Mitrovicë të veriut.

Në hyrje të objektit të komunës së Mitrovicës së Veriut, tashmë  që nga  marta po qëndron stema e Republikës se Kosovës.

Në lidhje më këtë dhe punët qe po kryhen edhe nga kjo komunë, kryetari i saj, Erden Atiq , nuk ka mundur të prononcohet. Ndërsa me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin, ka qenë i pamundur kontakti nga ana e RTK-së.


MË SHUME NGA Lajme