Osmani: Nimani ishte intelektual i jashtëzakonshëm
V. Thaçi / RTKlive
Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor për ndarjen nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani.
Osmani ka thënë se ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt.
“Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarje nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani’, ka thënë Osmani.
Ajo tutje ka shtuar se fjalët e skalitura nga ai në pergamenë, janë testament për brezat që do të vijnë dhe kujtim i përhershëm për të.
“Për një kontribut të tillë, sikurse edhe atë në fushën e arteve, z.Nimani më 17 shkurt të këtij viti është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave. Veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës. Ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor!”, ka përfunduar Presidentja ngushëllimin për familjen Nimani.
Ndryshe lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë punimeve të seancës së sotme të Kuvendit, me ç’rast i ka shprehur ngushëllime familjes Nimani si dhe të gjithë komunitetit të artit.
Po ashtu në shenjë respekti dhe nderimi për jetën dhe veprimtarinë e tij deputetët kanë mbajtur një minutë heshtje.























