Haradinaj pas takimit me Osmanin: Të kthehet besimi i aleatëve
E. Hoti/ RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përfunduar takimin me presidenten Vjosa Osmani. Haradinaj ka thënë se i ka shprehur asaj shqetësimet për humbjen e besimit të partnerëve dhe ndëshkimet që, sipas tij, po merr vendi.
Haradinaj, tutje, deklaroi se i ka kërkuar presidentes Osmani që të veprojë me mandatin e saj dhe me kompetencat që i ka për uljen e tensioneve dhe de-eskalimin e situatës në veri.
“Biseda ishte e hapur. Unë i shpreha shqetësimet e mia për situatën në veri dhe humbjen e besimit të partnerëve tanë e ndëshkimet, si dhe vështirësitë që do t`i kemi, nëse nuk dalim nga kjo gjendje".
"Unë i kërkova presidentes që të veprojë me mandatin e saj dhe me kompetencat që i ka që të kthejë besimin me aleatët tanë, që të ndalen ndëshkimet dhe të ndodhë de-eskalimi i situatës e t`i kthehemi dialogut, marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit”, deklaroi Haradinaj para mediave.
Haradinaj theksoi se fitoret e Kosovës nuk janë të mundura pa mbështetjen e aleatëve.
Ai tha se AAK i ka përkrahur marrëveshjet e arritura, edhe pse në kuadër të tyre, siç tha ai, ka obligime të dhimbshme.
“Ne jemi të vetëdijshëm se ruajtja e shtetësisë është e pamundur pa aleatët tanë”, tha ai.
Ftesa e kryetarëve të partive nga presidentja Osmani është bërë pas kërkesës së liderit të AAK-së.
Ndersa liderët opozitarë të PDK-së dhe LDK-së kanë njofruar se kanë prauar ftesën nga presidentja Osmani, por se ata kanë refuzuar pjesmarrjen në takim.























