Sveçla: Republika nuk trembet,  secili që bën krim do të japë llogari
BKT
Lajme

Sveçla: Republika nuk trembet,  secili që bën krim do të japë llogari

E. Hoti/ RTKlive

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se organet e rendit janë të angazhuara  që personat që  rrahën mbrëmë dy të rinj shqiptarë t’i sjellin  ata para drejtësisë.

“Mbrëmë, 15 deri në 20 persona kanë rrahur dy të rinj shqiptarë. Ky akt, si çdo tjetër është i papranueshëm dhe organet tona janë të angazhuara që sulmuesit të sillen sa më parë para drejtësisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai është shprehur se bandat kriminale në veri të vendit ndër vite kanë ushtruar terror mbi qytetarët e Kosovës përmes akteve të tyre të ndryshme kriminale.

“Qytetarët tanë, veçanërisht ata shqiptarë, janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ata që kanë qëndruar janë rrahur, maltretuar e terrorizuar në vazhdimësi nga këto grupe kriminale. Shumë prej tyre janë larguar nga aty pikërisht për shkak të këtij terrori të ushtruar sistematikisht nga struktura kriminale me urdhër nga Beogradi. Akte të njëjta kanë ndodhur edhe ndaj qytetarëve të etnisë serbe të cilët kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me institucionet tona”, shkroi ai .

Në anën tjetër, Sveçla përmendi edhe arrestimin e sotëm nga Policia e Kosovës  të Nenad Orlovic, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, i cili dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në ditën e 29 majit në Zveçan ku mbeten të plagosur shumë ushtarë.

“Pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar. Secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë”.

"Republika nuk trembet. Secili do të japë llogari për secilin krim. Do të vazhdojmë pa u ndalur, në luftë ndaj të gjitha bandave që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit tonë", ka shkruar Sveçla.


MË SHUME NGA Lajme