Kurti: Sasia e armatimit tregon për përmasat e aksionit të planifikuar
BKT
Lajme

Kurti: Sasia e armatimit tregon për përmasat e aksionit të planifikuar

E. Hoti/ RTKlive

Policia e Kosovës, ka konfiskuar një sasi të madhe armatimi dje në Zveçan. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke shpërndarë një video, ku shihet armatimi i cili u ekspozua sot, tha se kjo sasi tregon për përmasat e aksionit të planifikuar si dhe pasojave që u parandaluan.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ndërsa kryeministri ka thënë se është parandaluar sulm terrorist duke zbuluar në Zveçan, 100 metra afër objektit të Komunës, një veturë me shumë armë, municion e pajisje të ndryshme ushtarake.

 Kurti ka thënë se sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara.

“Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”. Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara", ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje Kurti ka shkruar se tashëm Serbia përveç agresionit që ka ndërmarrë ndaj Kosovës, duke i rrëmbyer tre policë tanë, tani ka filluar të organizojë edhe sulme terroriste.

“Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste".

"Unë i jam falënderues PK-së dhe AKI-së për punën që po bëjnë gjithë këto kohë në ruajtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe në parandalimin e krimit e terrorizmit në atë pjesë të Republikës së Kosovë”, ka shkruar tutje Kurti.


MË SHUME NGA Lajme