OBD: Kontributi i Doganës së Kosovës i çmueshëm në zbatimin e ligjit
BKT
Lajme

OBD: Kontributi i Doganës së Kosovës i çmueshëm në zbatimin e ligjit

M.Miftari/RTKlive

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka marrë pjesë në takimin e rregullt treditor të Këshillit të Organizatës Botërore të Doganave (OBD), i cili është trupi më i lartë qeverisës në organizatë.

Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se ky takim, i cili ka filluar me datë 22 dhe ka përfunduar sot, si mbledhje e rregullt, shërben si një forum i rëndësishëm për diskutimin e çështjeve të rëndësishme doganore në nivel global, formulim të politikave, vlerësim të progresit të OBD-së, vendimmarrje për të ardhmen e organizatës si dhe shërben si mundësi për njohje dhe rrjetëzim në mes të anëtarëve të OBD-së nga e gjithë bota.

Gjatë punimeve sipas programit Këshilli ka zgjedhur edhe udhëheqësinë e re, konrketisht Sekretar i Përgjithshëm me mandat nga viti i ardhshëm është zgjedhur Ian Saunders nga Dogana e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Kryesues i Këshillit me mandat njëvjeçar është zgjedhur Edward Kieswetter, nga Afrika e Jugut.

“Kosova ka qenë pjesëmarrëse aktive dhe kontribuese në punën e OBD-së në të gjitha mundësitë e përfshirjes, duke filluar me pjesëmarrjen në operacionet e përbashkëta të zbatimit të ligjit, programet për ngritje të kapaciteteve dhe praktikave të punës, ndërkaq që kontributin më të theksuar e ka dhënë me angazhimin e ekspertëve tanë të akredituar në fushën e zbatimit të ligjit, të cilët vazhdojnë të ofrojnë ekspertizën e tyre në programet trajnuese të OBD-së në vende të ndryshme të botës. Për këtë Dogana e Kosovës në shumë raste është falënderuar nga OBD”, htuhet në njoftim.

Rikujtojmë se Dogana e Kosovës ka qenë e nderuar me vizitën e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OBD-së Dr. Kunio Mikurya në fund të prillit, i cili, gjatë adresimit para mediave, pati shprehur vlerësim të lartë për zhvillimet dhe arritjet e Doganës së Kosovës dhe ka vënë në dukje angazhimin tonë për të implementuar praktikat bashkëkohore.

Tutje në njoftim thuhet se bashkëpunimi i Doganës së Kosovë me Organizatën Botërore të Doganave është një pjesë e rëndësishme e kësaj përpjekjeje, duke shprehur vendosmërinë për   të qenë konstruktiv në këtë fushë.


MË SHUME NGA Lajme