Nga vërshimet në Pejë, Abdixhiku: Në kohë të vështira të jemi solidarë
BKT
Lajme

Nga vërshimet në Pejë, Abdixhiku: Në kohë të vështira të jemi solidarë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas humbjes të jetës së nënës dhe fëmijës së saj 5 vjeçar, si pasojë e reshjeve të shiut në komunën e Pejës.

Ai, përmes rrjetit social Facebook, ka bërë të ditur se, pas vërshimeve të shiut, të cilat shkaktuan humbje jetësh e dëme të mëdha në disa lagje të Pejës, është në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

“Ngjarja tragjike e vdekjes së nënës dhe fëmijës së saj është humbje e madhe për familjen, për qytetin e Pejës si dhe për të gjithë ne. Prandaj në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës iu shpreh ngushëllime familjes Ademaj, ndërsa të lënduarve tjerë shërim të shpejtë e të plotë. Në kohë të vështira si kjo nga fatkeqësitë natyrore të cilat dhe janë të paparishkueshme duhet të jemi solidarë dhe të përkrahim njëri-tjetrin”, ka shkruar Abdixhiku.

Tutje, ai bëri të ditur se kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, së bashku me organet tjera lokale, janë duke i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të ndihmuar familjet e prekura në këtë kohë të vështirë.
“Solidariteti dhe  bashkëpunimi janë thelbësore në momente të tilla për të ndihmuar bashkëqytetarët të ngrihen përsëri pas një fatkeqësie tragjike”, ka theksuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, derisa falënderoi të gjitha organet lokale, njësitë e kërkim-shpëtimit të FSK-së, si dhe të gjithë qytetarët  për angazhimin e tyre për të tejkaluar këtë situatë.

Duke u bërë thirrje institucioneve qendrore të mobilizojnë të gjithë mekanizmat shtetëror të iu dalin në ndihmë të menjëhershme qytetarëve të prekur nga vërshimet, kryetari i LDK-së, Abdixhiku, tha se institucionet tona duhet të koordinohen me të gjitha organet lokale për t’iu përgjigjur nevojave të familjeve tona në përballje me këtë situatë.


MË SHUME NGA Lajme