Reforma administrative mes prioritetit qeveritar dhe kërkesës ndërkombëtare
Pajtim Çuni / Radio Kosova
Reformimi i administratës publike në vazhdimësi i kërkohet Kosovës, nga faktori ndërkombëtarë dhe organizata të ndryshme.
Në Raportin e Progresit për vitin 2022, si dhe raportet tjera theksohet se Kosova duhet të punojë më shumë për reformimin e administratës. Ndërkaq, nga Qeveria thonë se këto reforma janë prioritet i tyre dhe po punojnë në këtë drejtim.
Kosova, viteve të fundit ka stagnuar sa i përket reformave në administratën publike. Kështu thuhet në një raport të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, me titull “Reforma në administratën publike: Ku qëndron Kosova krahasuar me vendet e rajonit për vitet 2021 dhe 2022”.
Përkundër kësaj, gjatë publikimit të këtij hulumtimi, zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bardhyl Dobra, tha se reforma është prioritet i Qeverisë Kurti dhe se për këtë po punojnë.
“Gjatë dy viteve të fundit është bërë një progres në fushën e reformimit të administratës publike. Janë disa çështje për të cilat është krejtësisht e natyrshme që rezultatet nuk mund të shihen menjëherë, por që janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm. Një ndër ta është fakti se nuk kemi ndërhyrje në rekrutimin e shërbyesve civilë”, tha ai.
Naser Shamolli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Radio Kosovën tha se, reformimi i administratës publike është i një rëndësie të veçantë për Kosovën dhe procesin e integrimeve.
“Reforma e administratës publike, sidomos në segmentin e integrimit evropian është mese e domosdoshme. Andaj edhe, nga viti 2014, si kërkesë e Komisionit Evropian është edhe procesi i reformës së administratës publike, krahas tre kritereve kyçe për anëtarësim në BE. Kjo, për faktin se, supozohet që tre kriteret duhet t’i përballojë një administratë publike profesionale e cila është e gatshme të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Shamolli.
Zyrtarë nga Bashkimi Evropian dhe drejtues shtetesh anëtare të BE-së, prej vitesh i kërkojnë Kosovës reformimin e administratës publike, çka thonë se është çelësi kyç për anëtarësim në BE.
Edhe në raportin e fundit të Komisioni Evropian për progresin në Kosovë theksohet nevoja për reforma. “Kosova mbetet në njëfarë niveli të përgatitjes dhe ka arritur progres të kufizuar në reformën e administratës publike”, thuhet mes tjerash në raportin e vitit 2022.























