Sveçla pas lirimit të policëve: Serbia ende do t’i përndjekë
V. Thaçi / RTKlive
Pas lirimit të tre policëve kosovarë të kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Sveçla përmes një postim në Facebook ka thënë se policët sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës, duke shtuar se ata do të bashkohen me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se policët kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës.
Sipas tij, ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.























