Kurti takon zëvendëspresidentin e IFC-së, flasin për bashkëpunim
BKT
Foto: ZKM
Lajme

Kurti takon zëvendëspresidentin e IFC-së, flasin për bashkëpunim

E.Hoti RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në zyrën e tij zëvendëspresidentin Rajonal për Evropë të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), Alfonso Garcia Mora.

Sipas njoftimit nga Qeveria, në këtë takim Kurti e vlerësoi  angazhimin e IFC-së në Kosovë në punën e tyre me sektorin privat dhe ofrimin e ekspertizës së saj.

 “Ne e shohim IFC-në si një aktor të rëndësishëm në angazhimin tonë për të nxitur më shumë zhvillim dhe punësim”, u shpreh Kryeministri Kurti në fillim të takimit.

Ai theksoi se agjenda e reformave ka qenë e fokusuar në bërjen e Kosovës një treg atraktiv për bizneset dhe investimet.

Në njoftim u bë e ditur se janë thjeshtuar procedurat për regjistrimin e një biznesi, për marrjen e licencës ose lejes, procedurat tatimore janë automatizuar dhe hapat e tregtimit e procedurat tjera janë shkurtuar ndjeshëm .

Kryeministri Kurti theksoi edhe arritjet e Qeverisë, sidomos sa i përket politikave ekonomike si rritja e të hyrave, rritja ekonomike dhe rritja e punësimit.

ZKM njoftoi më tej se Mora e përgëzoi Qeverinë për këto arritje, veçanërisht për stabilizimin e ekonomisë pas pandemisë.

“Ai propozoi fusha të bashkëpunimit me Qeverinë në ofrimin e mbështetjes ndaj institucioneve mikrofinanciare, përkrahje për Qeverinë në iniciativa për mobilizimin e kapitalit të sektorit privat në zhvillimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore e sociale, dhe bashkëpunimin potencial në fushën e tranzicionit energjetik. Në këtë mënyrë, z.Mora theksoi gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit me Qeverinë dhe rritjen e involvimit më të madh të IFC-së në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu u diskutua dhe për mbështetjen e IFC-së për projektin e banimit të përballueshëm, për të cilën Qeveria po punon intensivisht në realizimin e tij.

IFC u tha se ka potencial global që mund të përdoret për të ofruar më shumë mbështetje për Kosovën.

“Kryeministri Kurti ritheksoi dhe njëherë gatishmërinë për të dëgjuar rreth vizionit mbi të ardhmen e prezencës së IFC-së në Kosovë, punën e përbashkët dhe thellimin e bashkëpunimit. Kjo është hera e parë që një zëvendëspresident i IFC-së viziton Kosovën”,  thuhet në njoftim.​

Në këtë takim kryeministri shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.

 


MË SHUME NGA Lajme