ZPS do të shqyrtojë kërkesën e Dugollit për krimet në Burgun e Dubravës
B. H. | RTKlive
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka bërë të ditur se ka pranuar shkresë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), lidhur me letrën e tij drejtuar këtij institucioni për të kryer hetime mbi masakrën në Burgun e Dubravës.
"Dua t'ju informoj se ditë më parë, kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre", ka shkruar Dugolli në Facebook, ku e ka publikuar edhe letrën e ZPS-së.
Enver Dugolli është njëri nga të mbijetuarit e masakrës së kryer nga forcat serbe në Burgun e Dubravës në vitin 1999 dhe ai ka ofruar dëshmi për krimet e kryera nga Serbia në këtë burg gjatë bombardimeve të NATO-s.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë proces, derisa ka shprehur shpresën për nisjen e hetimeve nga ZPS.
“Mbetem me shpresë se Prokuroria e Specializuar do t'i japë fund pandëshkueshmërisë së autoriteteve të larta të Serbisë për këto krime monstruoze, si dhe ta shfrytëzojë këtë rast për të sqaruar përfundimisht nëse Gjykata Speciale është, apo s'është, gjykatë një-etnike”, ka shkruar tutje Dugolli.























