Shekulli absurd i Kafkës
BKT
Kulturë

Shekulli absurd i Kafkës

Arben Veselaj, RTK-Radio

Këtë fillimkorriku bota e letërsisë shënon 140-vjetorin e lindjes së njërit prej shkrimtarëve më gjenialë të shekullit XX: Franc Kafkës (Pragë, 3 korrik 1883 - Kierling, 3 qershor 1924).

Brenda më pak se një shekulli letërsia e Kafkës u bë pjesë e disa shkollave letrare dhe emri i tij sinonim i luftës së njeriut me ingranazhet shtypëse të “drejtësisë” dhe burokracisë. Absurdi në veprat e tij u bë emblemë e ekzistencializmit në gjithë letërsinë e shekullit XX.

Në veprat e Kafkës trajtohet humbja - apo më mirë të thuhet mosekzistenca e shpresës njerëzore. Kafka është mjeshtër i temave mbi shpërfytyrimin, mbi ankthin ekzistencial, mbi ndjenjën e fajit dhe mbi absurditetin. Ai e trajton me patos temën e konfliktit të njeriut të shkretë me burokracinë dhe autoritarizmin shtetëror. 

Kafka i krijoi protagonistët më të veçantë të letërsisë, të cilët gjenden papritur në situata misterioze dhe absurde. Protagonistët e Kafkës janë njerëz të lëçitur që përballen me vështirësi të krijuara si prej hiçit. Ata, pothuajse të gjithë pa dallim, janë viktima të proceseve burokratike në sistemet e shteteve totalitare. 

Prapa heronjve të tij letrarë,  si: Jozef K. (“Procesi”), Gregor Samsa (“Metamorfoza”) etj., Kafka fshihte idetë kundërvënëse ndaj antisemitizmit, ndërkaq përmes pësimeve të tyre parashikonte fillimin e luftës për shfarosjen e hebrenjve në Evropë. 

Viset që përshkruhen në librat e Franc Kafkës janë të zymta e plot ankth, ndërkaq situatat një lloj zgjimi dhe fataliteti, njëherësh. Ai kishte një vizion pothuajse apokaliptik për të ardhmen e shoqërive njerëzore, andaj shpesh thoshte: “Nuk gjej asnjë kuptim për t’i dhënë kuptim jetës sonë”! Kafka besonte se e gjithë raca njerëzore ishte produkt ose “aksident i një prej ditëve më të këqija të Zotit”. 

Franc Kafka pati një fat ters në jetë: vdiq relativisht herët dhe pa e shijuar famën në letërsi. Jo kaq ters, ndërkaq, qe dhe fati i veprës që la, ndërsa vdiq pas një lëngate të gjatë prej tuberkulozit. 

Në fakt, për veprat e lëna në dorëshkrim - që përfshijnë së paku tri kryeveprat e letërsisë së shekullit XX: “Kështjella”, “Procesi” dhe “Amerika”, ai vet kishte nënshkruar një testament asgjësimi. Por, për fat të mirë ai testament nuk ishte realizuar; dorëshkrimet nuk ishin djegur dhe ato sot ne i njohim dhe i lexojmë si kryevepra të Letërsisë së Absurdit. Në listën për djegie Kafka i kishte vënë edhe dorëshkrimet si: “Muri kinez”, “Ditari”, si dhe dy veprat epistolare: “Letër Babait“ dhe “Letra Milenës”.

Jetën e shkurtër të Franc Kafkës e karakterizon një krijimtari intensive letrare, por meqë ishte hezitues dhe mosbesues në talentin dhe dijen e vet, gjërat që shkruante rrallë i dërgonte në botim. Thuhet se e dogji pjesën më të madhe të krijimtarisë. Për të gjallë botoi fare pak vepra: përmbledhjet me tregimeve “Soditje”, “Mjeku i një fshati” dhe “Ndezësi”, si dhe novelat nga përmbledhjet “Metamorfoza” dhe “Në koloninë ndëshkimore”. 

Para se të vdiste, në moshën 41-vjeçare, Kafka porositi mikun tij, Max Brod-in, që t’i digjte dorëshkrimet që po i mbeteshin nëpër sirtarë. Por, Brodi e injoroi amanetin e mikut, i vetëdijshëm se ai amanet ishte veç një trill i çmendur gjeniu. 

Tri veprat e Franc Kafkës, “Metamorfoza”, “Kështjella” dhe “Procesi”, janë fillet e një letërsie që më vonë do të quhet Letërsi e Absurdit. “Procesi”, ndërkaq, konsiderohet kryevepra e Kafkës dhe në përgjithësi e Letërsisë së Absurdit. 

“Procesi” rrëfen fatin tragjik të personazhit, Jozef K., që është personazhi më tipik i Franc Kafkës dhe njëherësh edhe njëri prej personazheve më të realizuara që ka krijuar ndonjëherë letërsia e madhe. Ashtu siç rëndom ndodh me heronjtë kafkianë, edhe Jozef K. papritmas ndeshet me jodrejtësinë, me sistemin kriminal të gjykatave, me burokracinë e poshtër, me goditjen e pamëshirshme të shtetit totalitar - pra ndeshet me absurdin. 

Në Perandorinë e Franc Jozefit, ku zhvillohet gjyqi ndaj Jozef K-së, të gjithë shtetasit ishin “fajtorë” për diçka, por askush nuk dinte se për çfarë? Kështu ndodh edhe me Jozef K-në, i cili, ndërsa mbahet në paraburgim për një vrasje që nuk e kishte kryer, detyrohet ta pranojë krimin e pabërë, vetëm që të nis procesi i stërvonuar i gjykimit, sepse rrezik të mbetej në paraburgim deri në fund të jetës. 

Duke qenë në një situatë absurdi Jozef K. nis të mendojë plane për të dalë nga burgu. Duke parë se arsyetimi i tij mbi pafajësinë nuk zinte vend askund, ai pranon fajin për vrasje. Pasi shfaq pendesë për atë vrasje (që në fakt s’e kishte kryer) Jozef K. mendon se dënimin do ta kishte më të vogël. Por, as kjo nuk e ndihmon. Me vet faktin se pranon vrasjen, atë e dënojnë me vdekje dhe kështu fundi i Jozef K-së është fatal, tragjik dhe absurd, njëherësh.

Kritikët dhe studiuesit letrarë jo rrallë e kanë cilësuar heroin kafkian, Jozef K., si lajmësin tragjik të Holokaustit që ndodhi pak vite më vonë në kontinentin evropian. Jozef K., ose “profeti” i Kafkës, sikur paralajmëroi ndërgjegjen e popujve për t’u bërë gati për terrorin e dy ideologjive që po shfaqeshin në horizontin evropian: fashizmit hitlerian dhe komunizmit stalinist. Tabloja e fundit e romanit - ekzekutimi i Jozef K-së (prerja) me thikë kasapi në një gurore, s’është gjë tjetër pos një vegim paraljamërues kafkian për kampet naziste të shfraosjes së hebernejve në Aushvic dhe i kapmeve komuniste për të pabindurit në Gulag të Siberisë.     

Për fund duhet thënë se letërsia e Franc Kafkës është një kërkim për natyrën metafizike të njeriut, si dhe një kërkim mbi trajtat e shpërfytyruara të Zotit (Antizotit).

Shumë kritikë dhe studiues të letërsisë mendojnë se veprat e Kafkës frymëzuan shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, duke filluar nga Jorge Luis Borges, Albert Camus, Eugène Ionesco, Jean-Paul Sartre, Gabriel García Márquez, José Saramago, Ismail Kadare etj.

(Për më shumë rreth jetës dhe veprës së Franc Kafkës dhe për letërsinë e absurdit, ndiqeni emisionin “Libri”, në Programin 1, RTK-Radio, sonte (e premte, 07.07.2023), duke filluar nga ora

21:05, në valët 95.7 MHz dhe në internet:http://www.rtklive.com/sq/livestream/radiokosova)

(Në 140-vjetorin e lindjes së Franc Kafkës)    

 


MË SHUME NGA Kulturë