Policia e Kosovës nis me testimin e kamerave të trupit
M.P. / RTKlive
Policia e Kosovës ka nisur fazën testuese të pilot-projektit për kamerat e trupit. Testimi ka filluar nga Njësia për Kontroll të Autostradave e do të vazhdojë edhe me njësitet tjera.
Sipas njoftimit të policisë, ky institucion mbështetur në detyrat dhe autorizimet e parapara me ligj, si dhe me qëllim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, e po ashtu rritjes së besimit të qytetarëve ndaj policisë, vite më parë në mbështetje dhe përkrahje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ICITAP dhe INL), kishte filluar pilot- projektin për pajisje të zyrtarëve policorë me kamera të trupit.
“Me qëllim të informimit të qytetarëve dhe opinionit, Policia e Kosovës njofton se nga sot ka filluar faza testuese e përdorimit të kamerave të trupit nga Njësia për Kontroll të Autostradave, për të vazhduar më pas edhe me njësitë tjera policore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Përmes projektit të pajisjes së zyrtarëve policorë me kamera të trupit, përveç tjerash ka për qëllim që të argumentojë aktivitetet policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren.
Tutje në njoftim thuhet se pas fazës testuese policia do ta informojë opinionin përmes njoftimit zyrtar apo konferencës për kohën e fillimit zyrtar të përdorimit të kamerave të trupit.























