Shala: Ndërprerja e programeve nga Gjermania penalizon FSK-në
BKT
Foto,RTK
Lajme

Shala: Ndërprerja e programeve nga Gjermania penalizon FSK-në

Mejreme Tahirukaj/ Radio Kosova

Që nga fundi i muajit qershor, Kosova edhe zyrtarisht është nën masa nga ana e BE-së. Por edhe më herët, Kosova ishte përjashtuar nga “Defender 23”, si mjet ndëshkimi për tensionet në veri.

Ndërsa Gjermania ka konfirmuar se e ka ulur bashkëpunimin në siguri, ndërsa është shtyrë nënshkrimi i Programit të Evropës Digjitale, që kap një shifër prej 7,5 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Kjo po konsiderohet e rrezikshme nga njohësit e sigurisë.

Gjermania ka vendosur masa kundrejt Kosovës në fushën e sigurisë duke ndërprerë çdo bashkëpunim bilateral me Kosovën, deri në de-përshkallëzimin e gjendjes në veri të vendit.

Anëtari i Komisionit për Siguri, deputeti Hisen Berisha, vlerëson se me masat e ndërmarra nga SHBA-të dhe Gjermania, FSK-ja po rrezikon të humbë stabilitetin.

Ai tha se FSK-ja për shkak të politikave të gabuara është dënuar nga SHBA-të për mosblerjen e armatimit nga SHBA përmes programit FMS.

Sipas tij edhe përjashtimi nga "DEFENDER Europe 2023" dhe mos certifikimi i kapaciteteve të para në këmbësori, pajisje dhe armatime e dëmtojnë efikasitetin e FSK-ës.

“Mungesa armatimit për ushtri është alarmante për një shtet, prandaj sanksionet e dëmtojnë shumë strukturën e FSK-ës. Edhe në procesin e rekrutimit të pjesëtarëve të rinj”, tha ai.

Berisha tha se për t'i shmangur këto sanksione, lidershipi i vendit duhet të reflektojë e në veçanti presidentja duhet të ndërmarrë veprime për ta ndalur këtë process të sanksioneve kundrejt Kosovës dhe izolimit të vendit ku dëmin më të madh po e pëson FSK-ja si komponentë kyçe e sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ndërsa eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, tha për Radio Kosovën se ndërprerja dhe anulimi i programeve nga Gjermania për mbështetje të FSK-së kjo e penalizon mbarëvajtjen e FSK-së në realizimin e planit 10 vjeçar të transformimit që përfundon me 2028.

“Në rast se kemi sanksione të tjera siç është furnizimi me armatim dhe mbështetje të tjera logjistike, kjo do të penalizojë dhe krijojë një regres në avancimin e FSK-së drejt qëllimeve të saj për të qenë pjesë e partneritetit për paqe dhe njëkohësisht për të hyrë në kuadër të NATO-s”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka pasur disa qëndrime në lidhje me këto masa, duke i cilësuar si “të pakuptimta, të padrejta, jo fer e të rrezikshme”.

 


MË SHUME NGA Lajme