Reagon Kusari-Lila: Incizimet janë përpjekje për të njollosur qeverinë
M.Sh/RTKlive
Pas publikimit incizimeve të ditës së sotme, ka reaguar vetë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila. Ajo thotë se ka 15 muaj që Lista Serbe nuk është pjesë e Kuvendit, ndërsa komunikimi i atëhershëm, sipas saj, ka qenë tërësisht në bazë të komunikimit brenda Kuvendit, brenda seancës për agjenda.
“Kanë qenë tri agjenda vazhdimisht që e kanë përcjellë këtë komunikim. Ka qenë Ligji për Festa Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare gjithashtu dhe kërkesat të cilat kohë pas kohe ata i kanë parashtruar në raport me mjetet transportuese, qofshin ato mortore ose ambulante, dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale”, thotë Kusari-Lila.
Kujtojmë se sot janë publikuar në medie përgjimet e bisedave mes shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila me deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Gazeta Nacionale pretendon se këto incizime janë bërë në qershor të vitit të kaluar në zyrën e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Në hyrje të bisedës, ish-deputeti Simiq ia përmend Kusari-Lilës një bisedë që kjo e fundit e kishte bërë me Milan Radojiçiqin, i cili gjendet në listën e zezë të SHBA-së, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i dyshuar për rastin Brezovica.
Vetë deputetja Kusari-Lila thotë se biseduat kanë qenë legjislative.
“Do të thotë krejt ka qenë në këtë kuptim, përderisa për aludimin e komunikimit të personit në fjalë për mua kontakt në Kuvendin e Kosovës kanë qenë dy përfaqësues, shefi i Grupit Parlamentar Igor Simiq dhe pastaj nënkryetari i atëhershëm i kryesisë, Slavko Simiq, që tash e kanë treguar që përkundrejt përpjekjeve për çfarëdo normaliteti në kuptimin e përfaqësimit të interesave, ata kanë komunikim dhe sjellje abnormale, edhe këto pretendime ose supozime të një portali në veçanti, e tregojnë përpjekjen e dëshpëruar të tyre për të treguar një pamje tjetër për asaj se çfarë po ndodh në terren”, konsideron Kusari-Lila.
Sipas shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, këtij incizime janë përpjekje “për të njollosur së pari Qeverinë, Kryeministrin e pastaj edhe pozitën”.
“Për mua është paksa edhe njëfarë forme absurde mënyra dhe forma, por gjithsesi që jam këtu për secilin që ka pyetje ose komente për këtë çështje. Jo në fakt unë nuk kam as numër as komunikim me Milan Radojçiqin. Unë i përmenda, kanë qenë dy përfaqësues institucional këtu që ishin, përderisa gjatë gjithë kohës i kam refuzuar ose i kam rezistuar komunikimit me të dhe komunikimi çka kanë pasur Lista serbe me Milan Radojciqin është çështje e tyre, ata e kanë nënkryetar, ai dihet se si është. Në Qeverinë Kurti është kthyer aktakuza dhe është kthyer urdhërarresti, prandaj edhe në momentin kur ai do të zihet, kudo që të zihet ai do të arrestohet. Prandaj nuk ka ndonjë hapësirë këtu për ndonjë komunikim tjetër në raport me këtë person”, thotë Kusari-Lila.























