Rama për mospjesëmarrjen e Kurtit në takim: Kush deshi të vinte, erdhi
BKT
Lajme

Rama për mospjesëmarrjen e Kurtit në takim: Kush deshi të vinte, erdhi

Sh.Ç /RTKlive

(E plotësuar, ora 17:20)Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media, pas përfundimit të takimit informal me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha se të gjithë kanë qenë të ftuar. Ai u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve rreth mungesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në këtë takim.

“Nuk shoh asnjë interes, sepse të gjithë ishin të ftuar, kush deshi të vinte, erdhi, kush s’mundi nuk erdhi”, tha ai.

Rama u shpreh se takimi informal me komisionerin e Zgjerimit dhe liderët e Ballkanit Perëndimor konstaton në mbështetjen që pritet të japë Bashkimi Evropian për këto vende.

“Një plan i ri mbështetje ekonomike për Ballkanin Perëndimor është duke u përgatitur. Për këtë ne e zhvilluam këtë takim se si vendet e Ballkanit Perëndimor, se si mund t’u hapen disa shtigje të zhvillimit ekonomik pa u integruar në Bashkimin Evropian”, theksoi Rama.

Përfundon takimi i liderëve të rajonit në Tiranë, mungon Kurti

(E plotësuar) Ka përfunduar takimi informal i kryeministrit Rama me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi i cili u zhvillua në Vilën 30 në kryeqytet u mbajt në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.

Të pranishëm në takim ishin kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë se Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo.

Në takim mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në një aktivitet tjetër në Greqi. Kryeministri i Kosovës do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

Kryeministri i Shqipërisë. Edi Rama ka shkruar në Facebook se në takimin informal është folur për planin e ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Qeveria e konfirmon mospjesëmarrjen e Kurtit në Tiranë

N.Mekolli /RTKlive

Në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot, do ta zhvillojë një takim informal me krerët e rajonit dhe komisionarin për Zgjerim në Bashkimin Evropian Oliver Varhely, lidhur me Procesin e Berlinit. Në takimin e sotëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të marrë pjesë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, përmes një postimi në Facebook, ka konfirmuar se kryeministri  Kurti nuk mund të marrë pjesë për shkak se më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.

“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.


MË SHUME NGA Lajme