Ish-shefi i AKI-së dënohet me mbi 4 vjet burgim për rastin “Gylenistët”
BKT
Lajme

Ish-shefi i AKI-së dënohet me mbi 4 vjet burgim për rastin “Gylenistët”

N.M. /RTKlive

Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për dëbim të paligjshëm të gjashtë shtetasve të Turqisë që kishin lejeqëndrim dhe leje pune në Kosovës, në atë që njihet si rasti “Gylenistët”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër tre të akuzuarve

I akuzuari Driton Gashi është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe dënim plotësues Ndalim i ushtrimit të funksionit në administrate publike apo funksioneve në shërbime publike”, në kohëzgjatje prej 4 vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim, thuhet në njoftim.

“Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit D.G për veprën penale  Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i akuzuari V.K për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i akuzuari RR.S për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Privimi i kundërligjshëm i lirisë 196 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Kurse i akuzuari, Valon Ramadani është liruar nga akuza, pasi që nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar" si dhe i akuzuari Rrahman Sylejmani është liruar nga akuza, pasi që nuk është provuar se ka kryer veprat penale "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Privimi i kundërligjshëm i lirisë".

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 24 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër këtyre tre ish-zyrtarëve nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë”.


MË SHUME NGA Lajme