Nimoni i reagon avokatit Berisha:Ministria e Drejtësisë qëndron e papërlyer
B. H. | RTKlive
Akuzave të avokatit Besnik Berisha të paraqitura në një konferencë për media iu ka kundërpërgjigjur Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Avokati Berisha deklaroi se ai u arrestua me urdhër të pushtetit, derisa akuzoi ministren e Drejtësisë se kishte ndikim tek prokurori Rasim Maloku për urdhër-arrest. Megjithatë, Nimoni i ka hedhur poshtë akuzat e tilla, teksa ka thënë se Ministria e Drejtësisë “qëndron larg dhe e papërlyer” në këtë rast.
“Dy ditët e fundit, jemi dëshmitarë të shumë të pavërtetave dhe akuzave të rënda në drejtim të Ministrisë dhe ministres Haxhiu. Kjo bëhet në studio televizive dhe hapësirë publike, duke mos kursyer fjalët më shpifëse dhe ofenduese, e të cilat bien në kundërshtim edhe me etiken dhe sjelljen profesionale të cilën do të duhej ta kishte një avokat. Për çdo keqardhje niveli dhe gjuha e tillë”, ka shkruar Nimoni në Facebook.
Ai i ka vlerësuar shqetësuese deklarimet e Berishës, që sipas tij shkonin deri në nivel kërcënimi për zyrtarë shtetëror.
“Edhe pse po tentohet t’i jepet konotacion politik, rasti nuk është i tillë – politik, ndonëse personi në fjalë ka pasur angazhim e të kaluar politike dhe mbase avokon për subjekt të caktuar politik. Ministria e Drejtësisë qëndron larg dhe e papërlyer në këtë rast që do të duhej zhvilluar normalisht dhe profesionalisht në Gjykatë. Nuk është aspak në rregull që veprimet dyshuese inkriminuese, të cilat duhet zbardhur në një proces fer dhe të drejt gjykimi, të arsyetohen me gjuhen dhe konotacionin politik, supozues dhe ofendues. Beteja është ligjore me organet e drejtësisë, jo politike me ministren për raste të tilla”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në mandatin e saj, pa u përfshirë në procese të tilla të cilat i takojnë organeve të tjera. “Ndërsa për shpifjet dhe akuzat e rënda, do të ketë një proces tjetër gjyqësor”, ka shtuar Nimoni.























