Kurti: Arsimi dual po bëhet
B. H. | RTKlive
Arsimit në Kosovë po i shtohen edhe tetë profile të reja nga shtatori i këtij viti. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se arsimi dual po bëhet. “Katër profileve të vitit shkollor 2022/2023, po ia shtojmë edhe tetë të reja duke filluar nga shtatori. Nga katër shkolla, po zgjerohemi në 21, në gjithsej 13 komuna, nga vetëm tre sa ishin në vitin e kaluar”, ka shkruar kryeministri.
Ai bërë me dije se së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në dy takime të ndara, për gati katër orë, bashkëbiseduan me përfaqësues të bizneseve të sektorit të përpunimit të drurit dhe atij të ushqimit dhe pijeve për të identifikuar profilet e nevojshme për ta dhe tregun e punës.
“Lidhja ndërmjet arsimit dhe ekonomisë sot është vendimtare se çfarë shteti, ekonomie, do të kemi nesër. Arsimi dhe Aftësimi Profesional përbën një prej projekteve më të mëdha të transformimit të ekonomisë sonë”, ka theksuar tutje Kurti.
Sipas Ministrisë së Arsimit në vitin shkollor 2023/2024 do të ketë gjithsej 12 profile të arsimit dual në 21 shkolla profesionale. Përveç profileve kuzhinier, asistent i mikpritjes hoteliere (kamarier), floktar e murator, tashmë do të shtohen edhe këto profile: Rrobaqepësi, automekanik, metal përpunues, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregti me shumicë dhe pakicë, estetist.























