Sulmi ndaj KFOR-it, aktakuzë ndaj dy serbëve për dhunën në veri
N.M. /RTRKlive
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër dy të pandehurve me inicialet S.J. dhe I.S. të nacionalitetit serb.
Ata dyshohet se më 29 maj të këtij viti, u janë bashkuar turmave të dhunshme të protestuesve serbë të në Leposaviq, të cilët kishin ushtruar dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe me armë zjarri.
Me atë rast ishin lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, si dhe ishin shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe të gazetarëve, të cilët kishin mbuluar ngjarjet e asaj dite.
“Me këto veprime të pandehurit S.J dhe I.S. në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale huliganizmi’’ nga neni 404 paragrafi 1 dhe 3 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e zyrës për informim të Prokurorisë Speciale.























