Mërgimtarët u qëndrojnë besnikë pushimeve në vendlindje
BKT
Lajme

Mërgimtarët u qëndrojnë besnikë pushimeve në vendlindje

Edona Podvorica/RTK

Mërgimtarët që kanë ardhur tashmë në Kosovë, janë bërë pjesë e shumë organizimeve të ndryshme që po mbahen në komunat e vendit. Lokalet, muzika, freskia e qyteteve të vendit e mbi të gjitha, ndjesia se janë në atdhe bashkë me familjet e tyre, i bëjnë të harrojnë orët e pritjeve në kufi. RTK sjell në vazhdim atmosferën që mbizotëron mbrëmjeve në Ferizaj, Prizren, Gjilan e Tetovë.

Vera sjell në atdhe bashkatdhetarë nga shumë vende të botës. Ditët e nxehta të verës kalohen më bukur në flladin e vendlindjes. Ata u kanë dhënë gjallësi e hijeshi edhe qyteteve. Rrugët e sheshet janë plot.

Freskia e mbrëmjes i gjen ata në shëtitje, deri në orët e vona, nën ritmin e muzikës e zhurmës që krijojnë i madh e i vogël rrugëve me kalldrëm të Prizrenit.

Edhe në Ferizaj ka shumë gjallëri. Janë organizuar po edhe aktivitete enkas për ardhjen e mërgimtarëve. Rrugët e Gjilanit janë plot me mërgimtarë. Secili kalon pushimin në Kosovë në mënyrën e vet.

Atmosferës së pushimeve, u janë bashkuar edhe mërgimtarët nga Tetova. Netëve të freskëta, fëmijët shijojnë atraksionet e parqeve me lodra ndërsa shëtitoret janë plot qytetarë.

Të dhënat tregojnë se janë mbi 850 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Numri më i madh i tyre jetojnë në Gjermani, pasuar nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm në muajt e verës, ata shpenzojnë në Kosovë miliona euro, ndaras nga remitencat që dërgojnë gjatë vitit  kapin shifrën mbi 1 miliard euro.


MË SHUME NGA Lajme