“Rrnofsh sa malet”, ka për mesazh bashkëjetesën
Edona Podvorica/RTK
Festivali Ndërkombëtar i Operës "Ramë Lahaj" e filloi mbrëmë rrugëtimin e edicionit të tretë me ekspozitën “Rrnofsh sa malet”, e cila synon të rrisë diskutimin mbi mbrojtjen mjedisore dhe fuqisë transformuese të artit. Ekspozita në Galerinë e Arteve të Kosovës me kuratorë Ovul Durmusoglu dhe Kristale Ivezaj Rama, do të qëndrojë e hapur deri më 31 korrik.
Toka, uji e malet janë peizazhe që frymëzuan artistët e përzgjedhur për të qenë pjesë e ekspozitës “Rrofsh sa malet”.
“Përmes kësaj ekspozite kemi dashur që ta sjellim një vizion të gjerë të peizazheve të Kosovës nga piktorë që inspirohen nga bukuritë e këtij vendi, me perëndimin e diellit, malet dhe bukuritë e tjera të natyrës. Dhe mbi të gjitha të rrisim vetëdijen mbi rëndësinë e mbrojtjes së këtij mjedisi të bukur që inspiron artistët”, tha Ovul Durmusoglu, kuratore e ekspozitës.
Artistja, Zana Ramadani prezantoi në ekspozitë pikturën e saj që ka shpëtuar nga lufta. Për të ky është rast i mirë që ajo të gjejë përsëri frymëzim për të pikturuar peizazhe nga bukuritë e Kosovës.
Ekspozita që synon të përçojë mesazhin e bashkëjetesës në format më të mira që i jep natyra bëri bashkë ambasadorin amerikan në Kosovë, kryetarin e Prishtinës, kryediplomaten e vendit, tenorin Ramë Lahaj, si dhe artistë e artdashës.
Ekspozita “Rrofsh sa malet”, është organizuar nga Fondacioni Ramë Lahaj dhe bashkëkuratore e saj është artistja Kristale Ivezaj Rama.























