ASK: Bie për 17 për qind numri i familjeve përfituese të ndihmës sociale
V.TH. / RTKlive
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat e mirëqenies sociale për muajin qershor 2023.
Në këtë publikim thuhet se muajin e kaluar nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21.131 familje me gjithsej 83.363 anëtarë. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (qershor 2022) që ishin 25.444 familje me gjithsej 100.395 anëtarë, ka një rënie të numrit të familjeve përfituese nga kjo skemë për 4.313 ose 17,0%.
“Në muajin qershor 2023, krahasuar me muajin qershor 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (1,7%); skema e pensioneve bazike të moshës (-1,9%); skema e pensioneve kontributpaguese të moshës (-2,5%); skema për pensionet familjare (-8,7%); skema për pensionet e Trepçës (-18,3%); skema për pensionet invalidore (-20,3%)”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërsa, rritja e përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë në muajin qershor 2022, kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (23.6%); skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (11,0%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,1%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,7%); skema e kompensimeve për personat e verbër (2,2%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (1,7%); skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik (0,3%); dhe skema për veteranët e luftës (0.0%).
























