Heqja e gurit përkujtimor të nënës Pashkë Markaj, reagon FDHK
BKT
Lajme

Heqja e gurit përkujtimor të nënës Pashkë Markaj, reagon FDHK

N.M. /RTKlive

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë shpreh keqardhje për heqjen e gurit përkujtimor të nënës Pashke Markaj në Korenicë.

“Ky gurë ishte vendosur në vitin 2004, si një formë memorializimi për ngjarjen tragjike të vetëflijimit të nënës Pashke, e cila dogji veten pasi varrosi dy djemtë e saj të cilët ishin zhdukur më 27 prill 1999 dhe trupat e tyre ishin gjetur në varrezat masive në Batajnicë”, thuhet në reagimin e kësaj organizate humanitare.

Sipas FDHK-së, përkujtimi, si një mjet për pasurimin e kujtesës kolektive të shoqërisë, luan një rol të rëndësishëm në ballafaqimin me të kaluarën, përmes përkujtimit të ngjarjeve të së kaluarës dhe duke kujtuar e nderuar viktimat. Gjithashtu, memorializimi kontribuon në edukimin, ndërgjegjësimin dhe reflektimin e shoqërisë lidhur me ngjarjet e së kaluarës.

FDHK fton institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës që të formojnë një komision profesional për trajtimin dhe vlerësimin e të gjitha memorialeve në Kosovë, përfshirë ato të ngritura nga nisma dhe në hapësira private.

“Memorialet e vlerësuara nga ky komision si të rëndësishme në përkujtimin e së kaluarës, me theks te veçantë në përkujtimin e dinjitetshëm të viktimave, duhet të merren nën përkujdesjen e institucioneve përkatëse shtetërore, përkatësisht nën menaxhimin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale”, thuhet në reagimin e FDHK-së.


MË SHUME NGA Lajme