Bulliqi: Tërheqja e asamblistëve të PDK-së, për keqardhje
Shqipe Gashi /RTKlive
Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës, në magazinën informative “Lajmi i fundit”, në RTK, ka folur për tema të ndryshme, për vizitën e bashkatdhetarëve në vendlindje, sfidat e qeverisjes në komunë, sikundër për parkingun dhe për tërheqjen e asamblistëve nga radhët e PDK-së.
“Kemi filluar zyrtarisht me ‘Javën e Diasporës’, ku kemi bërë edhe një hapje solemne me ç’rast na nderoi edhe ansambli ‘Shota’, pastaj Shoqata Kulturore Artistike ‘ Flaka e Llapit’ , po ashtu edhe SHKA Haxhi Zeka’, nga Peja”, deklaroi kryetari Bulliqi, derisa shtoi se kjo javë do të vazhdojë me aktivitete kulturore deri në ditën e diel, ku do të ketë aktivitete kulturore-artistike dhe sportive, të cilat do të zhvillohen për nder të ardhjes së bashkatdhetarëve tonë në mënyrë që këto ditë tua bëjmë të mundur që të shijojnë sa më shumë atdheun me këto net që janë të organizuara nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në Komunën e Podujevës.
Tutje, Bulliqi përmendi edhe gatishmërinë e punëtorëve të komunës t’ju ofrojnë shërbime sa ma të mira.
“Sigurisht ne tashmë jemi të mobilizuar që bashkatdhetarëve tanë të ju ofrohen të gjitha shërbimet sa më të mira. Kështu që kemi mobilizuar të gjithë stafin administrativ që t’ju vihet në dispozicion qytetarëve tanë dhe po mundohemi që t’ju shërbejmë sa më mirë dhe ata të jenë të kënaqur. Kemi mobilizim të administratës kemi vënë edhe kioska që bashkatdhetarët tanë të kenë mundësi të kryejnë shërbimet 24 orë në mënyrë automatike”, deklaroi Bulliqi.
Bulliqi foli edhe për trajtimin e parkingjeve në komunë.
“Tashmë Komuna e Podujevës është në proces të pritjes së ofertimit për parking nëntokësor, ku kemi pasur fazën e parë për ofertim të operatorëve të ndryshëm për ta marrë në dispozicion këtë parking nëntokësor”, deklaroi ndër të tjera Bulliqi, kryetar i Podujevës, teksa bëri ftesë investitorëve që të vijnë të investojnë në këtë komunë.
Bulliqi foli edhe për zonën industriale, që, sipas tij, është nisur procesi i shpronësimit në sipërfaqe 37.4 hektarë, që tani janë duke grumbulluar dokumente për licencim.
Ndërkaq lidhur me shkëputjen e bashkëpunimit qeverisës në nivel lokal të PDK-së, Bulliqi shprehu keqardhjen për ndërprerjen e këtij bashkëpunimi, derisa lavdëroi punën e dy drejtorëve që ishin nga radhët e PODK-së, por edhe të asamblistëve të PDK-së, derisa tha se një vendim për tërheqjen nga qeverisja e përbashkët ka qenë vendim i nivelit qendror të PDK-së.























