‘Synergy’ në Prishtinë bashkon muzikalisht Ballkanin Perëndimor
Medina Pasoma / RTKlive
Janë 12 kompozitorë dhe secili nga ta i flet publikut me kompleksitetin e veprave të tyre. Unikja i prin, por bashkohen si një forcë e vetme për të triumfuar së bashku muzikalisht.
Me përvojat e tyre e rrugëtimet e pasura profesionale, kompozitorët e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë projektin “Synergy”. Ky bashkëpunim vjen si mprehje e kapaciteteve të industrisë së muzikës klasike në këtë rajon, teksa përfshihen Kotori, Dubrovniku, Trebinje, Tirana, Prishtina, Beogradi e Ljubljana.
Për dy ditë me radhë stacioni do të jetë Prishtina. Prej sot e deri nesër publikut kosovar do t’iu ofrohen laramani e krijimeve. E nga Kosova do të prezantohet vepra e kompozitorit të suksesshëm, Kreshnik Aliçkaj.
“Muzikantë të rinj nga rajoni do të performojnë kompozime të reja të frymëzuara nga trashëgimia vendase dhe vlerat evropiane, të shkruara si pjesë e projektit të BE-së Synergy”, thuhet në njoftimin e festivalit “Chopin Piano Fest”, nëpërmjet të cilit ndodh pjesëmarrja e Kosovës.
Ndërkaq veprat të cilat do të interpretohen janë “Air” nga Milivoje Pićurić, “On the Edge of Silence” nga Ardian Halimi, “Encounters” nga Nina Perović, “Big Ship Full of Joy and Crap” nga Matija Krečić, “Kuartet pianistik” nga Kreshnik Aliçkaj, “Unheard Story” nga Timotej Kosovinc, “Conversations Within” nga Mira Milosavljević, “Kulshedra” nga Predrag Radisavljevic, “Noise” nga Kris Sopiqoti, “Korbe” nga Tomislav Oliver, “Anosmia” nga Jetmir Zaganjori, “Ljubljana” nga Helena Skljarov.
Radio Televizioni i Kosovës është sponsori medial i këtyre dy mbrëmjeve muzikore.
























