Prizreni sonte jehon me këngët e harruara arbanase
BKT
Kulturë

Prizreni sonte jehon me këngët e harruara arbanase

Medina Pasoma / RTKlive

Prizreni sonte do të jetë caku i këngëve të harruara arbanase. Koncerti “Bërbili - Këngë të harruara të arbanasve të Zarës” do të bashkojë perlat shqiptare në Kino Bahçe të kinemasë Lumbardhi.

E pjesa më e veçantë është se pikërisht kulturën shqipe muzikalisht do ta prezantojnë dy të huaja, Dina Bušić dhe Melita Ivković.

“Nëpërmjet ndikimeve të tyre unike dhe përvojave personale, Dina dhe Melita u japin jetë këtyre këngëve të lashta, të kënduara në dialektin e rrezikuar arbanas, një përzierje magjepsëse e shqipes, italishtes dhe kroatishtes”, thuhet në njoftimin e koncertit.

Këtë ngjarje do ta përcjellë edhe Radio Televizioni i Kosovës, e ku gazetarja Dafina Smajli do të mbajë të informuar publikun nëpërmjet një lidhje direkte në Lajmet Qendrore. Ndërkaq një material i zgjeruar do të transmetohet së shpejti në emisionin muzikor “Fjalë e Tinguj” në transmetuesin publik. 

Albumi i kuruar nga Jan – Eric Persson sjellë përvojën e Bušić me butësinë e saj lirike dhe tonet mesdhetare në plan të parë të gërshetuar me trajnimin klasik me ndikimet e zhanreve të ndryshme të kitaristes Ivković.

“Albumi kap thelbin e Ballkanit, sharmin melodioz të këngës italiane dhe tingujt ritmik të melodive tradicionale”, njofton kinemaja Lumbardhi.


MË SHUME NGA Kulturë