Kushtetuesja nuk vendos masë të përkohshme për seancën e 13 korrikut
Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me vendimet e miratuara në seancën e Kuvendit të Kosovës të 13 korrikut.
Partia Demokratike e Kosovës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të 11 korrikut për caktimin e seancës plenare të 13 korrikut. Deputetët e saj kanë thënë në sqarimin e tyre se nuk është respektuar afati për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare sipas Rregullores së Kuvendit, sipas të cilës, rendi i ditës bashkë me materialet përkatëse u shpërndahen deputetëve së paku dy ditë pune para mbajtjes së seancës plenare.
Në sqarim thuhet se rendi i ditës nuk ishte paraqitur për miratim në seancën plenare të 13 korrikut, “duke marrë parasysh se nuk ka pasur konsensus në Kryesinë e Kuvendit lidhur me rendin përkatës të ditës”.
Deputetët kishin kërkuar që deri në vendimin e Gjykatës, kjo e fundit të vendosë masë të përkohshme ndaj vendimit të 11 korrikut për caktimin e seancës së 13 korrikut, “duke pezulluar për pasojë edhe efektin e të gjitha vendimeve të miratuara nga Kuvendi në seancën plenare të 13 korrikut”.
“Parashtruesit e kërkesës nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi ose arsyetim se pse pezullimi i efektit të të gjitha vendimeve të Kuvendit të miratuara në seancën e 13 korrikut i kontribuon evitimit të rreziqeve apo dëmeve të pariparueshme dhe për pasojë, interesit publik”, thuhet në vlerësimin e Kushtetueses.
Gjykata ka arsyetuar se “në dritën e parimit të sigurisë juridike, si vlerë thelbësore e sundimit të ligjit dhe rendit kushtetues të Kosovës, Gjykata ka vendosur të refuzojë kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj aktit të kontestuar në fjalë, duke theksuar që, një vendimmarrje e tille nuk paragjykon në asnjë mënyrë vlerësimin e Gjykatës lidhur me kërkesën bazë, përkatësisht për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar”.
Ky vendim nuk lidhet me dy vendimet e Kuvendit nga ajo seancë, atë për shkarkimin e Kimete Gashit, nga pozita e anëtares së OSHP-së, dhe kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për pagën minimale.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur përkitazi me kërkesën për masë të përkohshme në rastin KO 160/23, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga dymbëdhjetë (12) deputetë të Kuvendit, bazuar në autorizimet e përcaktuara nëpërmjet paragrafit 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, ka vendosur që kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur, të refuzohet.
Vendimi i Gjykatës sqaron që parashtruesit e kërkesës kërkojnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, përkatësisht shkresës së 11 korrikut 2023 drejtuar deputetëve nga Kryetari i Kuvendit, përmes së cilës i njofton dhe i fton të njëjtit për seancën plenare të 13 korrikut 2023, duke bashkëngjitur rendin e ditës. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë që akti i lartcekur nuk është në përputhshmëri me (i) nenin 68 [Seancat], nenin 69 [Orari i Seancave dhe Kuorumi] dhe nenin 76 [Rregullorja e Punës] të Kushtetutës në ndërlidhje me (ii) nenin 16 (Kryetari i Kuvendit), nenin 19 (Detyrat e Kryesisë) dhe nenin 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar, ndër tjerash, që (i) nuk është respektuar afati për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare sipas nenit 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit, mes tjerash, rendi i ditës, së bashku me materialet përkatëse, u shpërndahen deputetëve së paku dy (2) ditë pune para mbajtjes së seancës plenare; dhe që (ii) në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 19 (Detyrat e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, rendi i ditës nuk është paraqitur për miratim në seancën plenare të Kuvendit të 13 korrikut 2023, duke marrë parasysh që nuk ka pasur konsensus në Kryesinë e Kuvendit lidhur me rendin përkatës të ditës. Rrjedhimisht, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që (i) të shpallë aktin në fjalë në kundërshtim me Kushtetutën; dhe për pasojë (ii) të anulojë seancën plenare të Kuvendit të Republikës, të mbajtur më 13 korrik 2023, me pasojën e anulimit të të gjitha vendimeve, përfshirë ligjeve të miratuara në këtë seancë.
Vendimi i Gjykatës gjithashtu sqaron që parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata, që deri në vendosjen meritore të saj lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, të vendosë masën e përkohshme ndaj aktit të lartcekur, përkatësisht “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, duke pezulluar për pasojë edhe efektin e të gjitha vendimeve të miratuara nga Kuvendi në seancën plenare të 13 korrikut 2023, përfshirë edhe hyrjen në fuqi të ligjeve të miratuara në atë seancë, sipas nenit 80 [Miratimi i Ligjeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Vendimi i Gjykatës, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, sqaron që (i) bazuar në nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës dhe nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, deri në vendimin përfundimtar të saj, Gjykata mund të suspendojë efektet e aktit të kontestuar, sipas kërkesës së palës apo sipas detyrës zyrtare, nëse vlerëson që masa e përkohshme eviton dëme të pariparueshme dhe vendosja e të njëjtës është në interes publik; dhe që (ii) bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe nenin 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, me rastin e kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë para Gjykatës, efektit suspenziv i nënshtrohen të gjitha ligjet, por edhe vendimet e miratuara në Kuvend, e të cilat i nënshtrohen procedurës pasuese të shpalljes dhe/ose dekretimit nga Presidentja e Republikës.























