Analistët: Raporti i BE-së duhet të merret seriozisht
BKT
Lajme

Analistët: Raporti i BE-së duhet të merret seriozisht

Albana Bajrami/RTK-Radio

Në raportin e publikuar të Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut, thuhet se situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht për sa i përket gjykimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes, përfshirë sulmet ndaj profesionistëve të medies. Njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë, vlerësojnë se ky raport është real dhe se duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës e të adresohet në formën e duhur.

Situata në veri të Kosovës është duke u konsideruar sfiduese në raportin e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut për vitin 2022. Ky raport përmban të dhënat e përditësuara dhe thuhet se dorëheqja e serbëve nga institucionet publike ka ndikuar negativisht në siguri, sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë. Ndërkohë, njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë, thonë se Raporti i BE-së për të drejtat e njeriut, ku përfshihet edhe Kosova, është raport real, pasi është bërë nga ekspertët e Bashkimit Evropian, që janë një palë e tretë neutrale. 

Profesori universitar, Dritëro Arifi, tha për Radio Kosovën se Raporti i BE-së është korrekt dhe profesional, derisa shtoi se duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës dhe të adresohet në formën e duhur. Ai theksoi se të gjithë ministrat e deputetët e vendeve anëtare të BE-së, i besojnë këtij raporti.

 “Por, unë nuk po shoh seriozitet, sepse të gjitha qeveritë e Kosovës realisht kanë thënë se do të përmirësojnë qeverisjen, politikat. Normalisht që situata në veri korrespondon edhe me të drejtat e njeriut. Aty ka shumë elemente ku duhet pasur kujdes se si e trajtojmë ligjin, sepse ligji është çështje interpretimesh dhe mandej nga këndvështrimi ynë mund të jetë në rregull, por nga këndvështrimi i palës së tretë mund të mos jetë në rregull me vijat e të drejtave të njeriut”, tha Arifi.

Profesori universitar, Dorajet Imeri, tha për Radio Kosovën se tani Kosova po kalon në një fazë tjetër. Ai tha se në raport theksohet se situata në veri është sfiduese, derisa shtoi se tensionimi i situatës atje, bëri që bashkësia ndërkombëtare të tregohej serioze dhe se veprimet e tyre kanë bërë që situata të fillojë të qetësohet.

“Planifikimi i Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të linjës, për përgatitjen e dorëheqjes ose shkarkimit të kryetarëve të rinj të katër komunave, është një hap tjetër i madh drejt shtensionimit të situatës. Natyrisht, zgjedhjet e reja do të marrin kohë dhe se këto nuk janë vetëm çështje teknike, por edhe të karakterit të rëndësishëm politik e strategjik, përmes të cilës palët dëshirojnë që të përcaktojnë agjenda, sidomos për sa i takon fillimit të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, ku kërkohet edhe zbatimi i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, theksoi ai.

Në raportin e BE-së, thuhet se “dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe ngritja e postblloqeve pasuese ndikuan negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në rajonin verior, ku sistemi i drejtësisë dhe policia funksionojnë me kapacitet të reduktuar.”

Ndër të tjera në raport, theksohet se “në vitin 2022, Kosova gëzonte stabilitet politik, ku qeveria kishte një shumicë solide në Kuvend. Ky mjedis politik ka qenë i favorshëm që Kosova të shtojë përpjekjet e saj për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Megjithatë, puna e Kuvendit vazhdoi të ndikohet negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe mungesa e kuorumit vendimmarrës”, thuhet në raport.

Tutje në raport thuhet se procesi zgjedhor i Kosovës ka ende nevojë për fuqizim për të adresuar dobësitë gjatë gjithë ciklit zgjedhor, siç janë identifikuar në misionet e njëpasnjëshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së, dhe së fundi nga Misioni përcjellës i zgjedhjeve të BE-së, i vendosur në Kosovë në nëntor të vitit 2022. Sa i përket procesit të dialogut për vitin 2022, në raport thuhet se në Kosovë u zhvillua një dialog i rregullt politik, në të dy aspektet teknike dhe nivelet politike.

Gjithashtu, në raport është theksuar edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës. “BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Kjo përfshin lirinë e tubimit dhe shoqërimit, lirinë e shprehjes, të drejtat e personave në situata të cenueshme, duke përfshirë personat që u përkasin pakicave; e drejta për barazi dhe mos-diskriminim, fëmijët, personat LGBTI dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe barazinë gjinore, si pjesë e rrugës evropiane të Kosovës”, është theksuar ndër të tjera në raportin e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut.


MË SHUME NGA Lajme