Kusari Lila dorëzon kallëzim penal ndaj Slavko Simiqit
BKT
Lajme

Kusari Lila dorëzon kallëzim penal ndaj Slavko Simiqit

B. H. | RTKlive

Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiq.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë Kusari Lila, e cila ka qenë pjesë e audioincizimeve të publikuara në media.

Ajo ka thënë se incizimi dhe publikimi i incizimit të jashtëligjshëm nga ish nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq, shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër.

“Ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dizinfomuese nga ana tjetër. Të njëjtat tani janë pjesë e kallëzimit penal dorëzuar Prokurorisë së Shtetit me 1 Gusht, 2023”, ka shkruar Kusari Lila në “Facebook”.

Ajo tutje ka thënë se “përveç jashtëligjshmërisë së incizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar”.

“Nuk i ka mjaftuar incizimi, kjo vepër e rëndë penale, por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes. Gjuha me qëllim nxitjen e urrejtjes, mosdurimit dhe denigrimit të tjetrit e përdorur gjatë komentimit të materialit, ka nxitur kërcënimet ndaj meje nga persona të caktuar. Edhe ato janë paraqitur tek autoritetet relevante”, ka theksuar shefja e deputetëve të VV-së.

Ajo ka thënë se në këtë periudhë kohore janë publikuar dhjetëra lajme të rreme, të verifikuara nga monitoruesit, e që sipas saj burimi i tyre përveç nga individë është edhe nga një parti politike parlamentare, PDK.

“Kjo është një fushatë e sulmit ndaj meje dhe rrjedhimisht ndaj detyrës që unë mbaj, ndaj grupimit politik e institucional që unë i përkas. Lista Serbe ka 14 muaj që nuk është më pjesë e institucioneve. Deputetët e dikurshëm të Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës. Ata janë gjendur në veprime të tjera kriminale duke sulmuar gazetarët dhe pjesëtarët e NATO-s në protestat e dhunshme që i shkaktuan në 3 komunat e veriut të vendit gjatë muajit maj dhe qershor. Abuzimi ekstrem me këtë material të jashtëligjshëm do të përcillet tek të gjitha institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe publikimin e informacionit”, ka nënvizuar Kusari Lila.

Ajo ka thënë se për pjesëtarin e Listën Serbe, për porositësit e urdhëruesit e tij dhe për shpërndarësit e nxitësit e dhunës dhe urrejtjes në publik do të vijojnë denoncimet.

“Të njëjtët po synojnë të vijojnë me fushatat e tyre.  Pavarësisht si duken fytyrat dhe emrat, le ta themi qartë cila është adresa e kësaj fushate: Serbia, regjimi i Vuçiqit dhe bandat e zgjatimet e tyre në Kosovë”, ka përfunduar Kusari Lila.


MË SHUME NGA Lajme