Analistët thonë se njohja nga Ukraina do të kishte peshë të madhe
BKT
Lajme

Analistët thonë se njohja nga Ukraina do të kishte peshë të madhe

Albana Bajrami / Radio Kosova

Pas lajmeve të fundit se Ukraina mund ta njohë së shpejti Kosovën, njohësit e çështjeve politike në Kosovë thonë se kjo njohje eventuale do të ishte goditje shumë e madhe për Serbinë, derisa theksojnë se do të ishte një fitore për Kosovën, pasi do të transmetonte një mesazh për njohje edhe te pesë vendet e tjera mosnjohëse të BE-së.

Ditët e fundit ka pasur lajme nga Kievi se Ukraina mund ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ligjvënësit ukrainas janë shprehur pro njohjes, ndërsa analistët e çështjeve politike në Kosovë thonë se njohja eventuale nga Ukraina do të ishte një akt jashtëzakonisht pozitiv për vendin tonë. Analisti politik, Artan Muhaxhiri, tha për Radio Kosovën se përveç që Ukraina është një shtet i madh dhe ka rëndësi gjeostrategjike e gjeopolitike, në momentin aktual kjo do të përçonte një mesazh të veçantë, pasi kjo do t’i jepte krah edhe politikës së Jashtme të Kosovës dhe do ta vendoste atë në një nivel shumë më të mirë.

“Një vendim i tillë është jashtëzakonisht kompleks dhe duhet që të harmonizohen shumë copëza të mozaikut, në mënyrë që të bëhen edhe balancat e pushteteve, që të ketë strategji për procesin e njohjes nga ana e Ukrainës. Kjo njohje eventuale do të ishte goditje shumë e madhe për Serbinë, pasi do ta vendoste në një pozitë të palakueshme edhe në dialog, edhe për sa i përket inercionit të njohjeve të reja, pasi Ukraina ka një peshë shumë të madhe tani. Prandaj, kjo do të ishte një fitore shumë e madhe e Kosovës, do ta transmetonte një mesazh edhe te pesë vendet e tjera mosnjohëse të BE-së, që duhet që të lëvizet ky mekanizmi gjigant drejt përfundimit të dialogut dhe drejt përfshirjes së Kosovës në familjen evropiane si krejtësisht të barabartë me vendet e tjera”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.

Analistja politike, Arta Tahiri, tha për Radio Kosovën se duke e ditur statusin aktual të Ukrainës, është jashtëzakonisht favorizuese dhe e kuptueshme që Ukraina të ketë qasje pozitive për Kosovën, e pse jo edhe njohjen.

“Kosova ka qenë një nga shtetet e para të Ballkanit e cila ka mbështetur fuqishëm anën e Ukrainës, atëherë kur të gjitha shtetet e BE-së e kanë mbështetur Ukrainën. Ndërkohë, kemi Serbinë, e cila asnjëherë as nuk ka vendosur sanksione, por asnjëherë nuk ka dalë publikisht për të kundërshtuar luftën e Rusisë ndaj Ukrainës. Kështu që të gjitha elementet e deritanishme, të lënë të kuptojnë se Ukraina domosdoshmërish edhe në aspektin moral, edhe në aspektin shtetëror duhet ta njohë Kosovën”, tha ajo.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Ukrainës,  Oleksandr Merezhko, ka deklaruar për RTK-në se vendimi final për këtë çështje i takon presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.


MË SHUME NGA Lajme