Kurti për rrugën “Adem Demaçi” në Çair: Po shënjohet një triumf i lirisë
BKT
Lajme

Kurti për rrugën “Adem Demaçi” në Çair: Po shënjohet një triumf i lirisë

B. H. | RTKlive

Një rrugë në Çair tash e tutje do ta mbajë emrin "Adem Demaçi". Në ceremoninë solemne të shënjimit të kësaj rruge ka marrë pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se me emërtimin e një rrugë me emrin “Adem Demaçi”, po shënjohet një triumf i lirisë në kuptimet e saj më të kulluara politike, historike dhe njerëzore.  

I pari i ekzekutivit të Kosovës po qëndron në Maqedoninë e Veriut me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Kurti vizitën e ka nisur në Komunën e Çairit, me ç’rast mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës me emrin “Adem Demaçi”, veprimtarit i cili para dy javësh kishte përvjetorin e 5-të të vdekjes.

Ai e cilësoi këtë ngjarje si shenjim i një kohe me një emër: “kohës së shtypjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi e cila mes shqiptarëve e prodhoi një njeri simbol të lirisë: Bacin Adem Demaçi”.

Gjatë deklarimit të tij, kryeministri Kurti rikujtoi se si gazetari, shkrimtari, intelektuali dhe veprimtari, Adem Demaçi, veprat e të cilit i kushtuan plot 28 vite të kaluara nëpër burgje, frikësoi dy liderët diktatorë, Josip Broz – Tito i ish-Jugosllavisë dhe Nikita Krushqev i ish-Bashkimit Sovjetik, të cilët ishin kujdesur që para vizitës së tyre në Shkup, 60 vite më parë, ta burgosnin Adem Demaçin, njofton zyra e kryeministrit.

“Shtypësit dhe mohuesit e lirisë, nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim edhe një emër të përveçëm njeriu, emrin e Adem Demaçit. 60 vite më pas, në Maqedoni ka ende rrugë dhe shkolla me emrin “Josip Broz – Tito”, andaj emërtimi i një rruge me emrin “Adem Demaçi” është edhe një akt këmbënguljeje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”, u shpreh Kurti.

Kësisoj, duke e emërtuar këtë rrugë në Çair me emrin “Adem Demaçi”, kryeministri tha se po shënjohet një triumf i lirisë në kuptimet e saj më të kulluara politike, historike dhe njerëzore.  

 

Në këtë përurim ishin të pranishëm edhe mbesa e veprimtarit Adem Demaçit, Fitore Shahini, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, zëvendës-shefi i Misionit të Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Prindon Sadriu, deputetë e ish-deputet të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e qytetarë shqiptarë të Çairit dhe të gjithë Shkupit.

Sipas agjendës, kryeministri Kurti pritet të arrij në Komunën e Tetovës për të realizuar aktivitetet dhe takimet e parapara në kuadër të kësaj vizite e cila përfundon me manifestimin mirëseardhës në sheshin “Iliria” të Tetovës në orën 20:30.


MË SHUME NGA Lajme