Kurti e Zogaj dakordohen për reformën në drejtësi
M.Sh.RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj janë dakorduar të enjten për intensifikimin e bashkëpunimit rreth reformës në drejtësi, si dhe për çështje që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit.
Kështu është deklaruar pas një takimi që kanë zhvilluar kryeministri Kurti dhe kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.
“Temë e takimit ishin planifikimet e Këshillit Gjyqësor për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor, rezultatet e deritanishme të Gjykatës Komerciale pas funksionalizmit të saj, reformat në drejtësi dhe gjithashtu funksionimi i Gjykatës në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ekzekutivi.
Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministri, Blerim Sallahu, ndërkaq nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përveç kryesuesit, e pranishme ishte edhe anëtarja e KGjK-së, Drita Rexhaj.























